Një gjueti e vërtetë, më e madhja në historinë e fundit të Francës, po zhvillohet në këtë vend pas vrasjes së katër personave në një shkollë hebraike në Tuluzë.
Policia lokale e ka lidhur ngjarjen me dy atentatet e ndodhura javën e kaluar ku mbetën të vrarë tre ushtarë të regjimentit të parashutistëve.
E njëjta armë dhe i njëjti motor i vjedhur u përdorën nga atentatori në të tre sulmet, kanë bërë të ditur burime të afërta me hetimet që po kryejnë autoritetet.
Ndërkohë, presidenti Nicolas Sarkozy ka vendosur në jug-perëndim të Francës nivelin më të lartë të alarmit anti-terrorizëm. Është hera e parë në historinë e vendit që është shpallur “alarmi i kuq”, bëjnë të ditur mediat ndërkombëtare.
Masa në fjalë u mundëson autoriteteve të depërtojnë në jetën e përditshme dhe të implementojnë masat e sigurisë përmes disa opsioneve, mes të cilave përfshihet patrullimi i përbashkët polici-ushtri, autoritet për të ndërprerë transportin publik dhe për të mbyllur shkollat.
Agjentë të armatosur janë vendosur jashtë shkollave fetare, si dhe ndaj ndërtesave fetare hebraike e myslimane. Mijëra persona marshuan në rrugët e Parisit pasditen e së hënës në nder të viktimave. Ndërsa të martën, të gjitha shkollat në Francë mbajten një minutë heshtje.
Ndërkohë, një dëshmitar që ndodhej në vendin e ngjarjes, në shkollën hebraike, ka vënë re një kamera të vogël të vendosur në qafën e vrasësit.
Lajmin e ka bërë të ditur ministri i Brendshëm francez, Claude Gueant, i cili ka nënvizuar se pavarësisht krijimit të identikitit, ende nuk dihet se kush është vrasësi.
Sarkozy: Do ta kapim vrasësin
“Franca do të bëjë gjithçka për të kapur autorin e masakrës të ndodhur dje përpara shkollës hebraike në Tuluze”.
Kështu ka deklaruar presidenti francez Nicolas Sarkozy, pasi ka mbajtur një minutë heshtje në nder të viktimave të tragjedisë së të hënës.
Heshtja ka qenë e programuar për në orën 11:00 të së martës dhe ajo është mbajtur paralelisht edhe në të gjitha shkollat e Francës.
Deklaratën e tij Sarkozy e ka bërë përpara studentëve të një shkolle në zemër të Parisit, pak hapa larg Memorialit të Shoah.
Masakra në Tuluzë, pistë neonaziste
Autori i masakrës përpara shkollës hebraike në Tuluzë është i njëjti që vrau tre ushtarët javën e kaluar në të njëjtin qytet dhe një tjetër ushtarak në Montauban.
Kështu tha prokurori francez që po ndjek çështjen Michel Valet. Sipas elementëve të parë të hetimit, pista më e privilegjuar nga policia është ajo e grupeve neonaziste.
Kjo, pasi në vitin 2008 tre parashutistë të të njëjtit regjiment të ushtarëve të vrarë u përjashtuan pasi ishin anëtarësuar në shoqata naziste. Për rrjedhojë, mund të bëhet fjalë për një hakmarrje ndaj ish-bashkëluftëtarëve.
Krijohet identikiti i vrasësit
Një person muskuloz, me tatuazhe dhe i veshur me të zeza. Është ky identikiti i autorit të masakrës, i krijuar në bazë të dëshmive të mbledhura.
Identikiti në fjalë përputhet me atë të parashutistëve të përjashtuar, që bënin pjesë në të njëjtin regjiment të ushtarakëve të vrarë javën e kaluar. Treguesit në fjalë përforcojnë për rrjedhojë pistën e neonazizmit.
Eksperti: Vrasësi, një ujk i vetmuar
Si në atentatin ndaj ushtarakëve të së dielës, ashtu dhe në sulmin ndaj shkollës hebraike, vrasësi tregoi një kontroll profesional të armëve dhe se vret me një gjakftohtësi të jashtëzakonshme.
Janë këto karakteristikat që i atribuon vrasësit eksperit Luc Escoda, një përfaqësues i sindikatës së policisë në Midi Pirenei.
“Në të dyja atentatet shfaqen karakteristikat e një personi që ka të njëjtën mënyrë të të vepruarit, që përdor të njëjtin mjet transporti dhe që vret me të njëjtën gjakftohtësi”, thotë Escoda.
Sipas tij, vrasësi është “një ujk i vetmuar”, një i marrë i gatshëm për të bërë gjithçka dhe që vepron në mes të ditës.
“Për momentin nuk ka marrje përsipër të përgjegjësisë, që të mund të justifikonin veprimet e tij. Duhet të kemi kujdes me analizat”, ka shtuar Escoda.
Top Channel