Vrasësi i shtatë personave, në tre sulme të veçuara në jugun e Francës mund të godasë sërisht, dha alarmin prokurori që po heton çështjen.
Katër persona, tre prej të cilëve fëmijë, u vranë të hënën në një sulm mbi një shkollë hebrehe në Tuluzë. Në 11 dhe 15 mars, viktimë e së njëjtës armës mbetën tre ushtarë me origjinë afrikanoveriore.
Të gjithë viktimat janë qëlluar nga një distancë e afërt. Sipas dëshmitarëve lokalë, atentatori kishte me vete një kamera, nëpërmjet të cilës regjistroi sulmin e tij. Megjithatë, kryeprokurori, Francois Molins, theksoi se ky nuk është një detaj përcaktues në hetime.
Ndonëse nuk ka asnjë shpjegim për motivet e këtij sulmi, fakti që në qendër të sulmeve kanë qenë hebrenjtë dhe persona me ngjyrë, bën të mendohet për një ngjarje me sfond racist.
Për mediat franceze, është e qartë që policia është duke luftuar me kohën, përpara se vrasësi serial të ndërmarrë një sulm tjetër, që sipas ekspertëve të psikologjisë kriminale, tashmë është i gatshëm në mendjen e vrasësit.
Deri tani, ka patur një lidhje të frekuencës së atentateve, të cilat kanë ndodhur çdo katër ditë dhe janë bërë gjithmonë e më të përgjakshëm. Nëse e njëjta frekuencë do të respektohet, e premtja, dita e faljes së muslimanëve, do të jetë ajo në të cilën mund të rikthehen sulmet.
Top Channel