Falklands, Peruja nuk pranon luftanijen britanike

20/03/2012 15:40

Peruja anulloi një vizitë nga një frigatë e flotës britanike, si shenjë solidariteti me Argjentinën, në debatin mbi sovranitetin e ishujve Falklands.

HMS Montrose, e cila ndodhet në mision në ujrat e Oqeanit Paqësor, duhet të ankorohej gjatë javës në portin e El Kajaos.

Ministri i Jashtëm i Perusë, Rafael Roncagliolio u shpreh se qeveria e Limës “mbështet pretendime legjitime të Buenos Airesit mbi ishujt”.

”Anija luftarake britanike nuk mund të ankorohet në portet tona sepse kemi marrë një vendim bazuar në solidaritetin amerikanolatin dhe angazhimeve tona në kuadrin e organizatës së Bashkimit të Amerikanojugor. Peruja i vlerëson si legjitime pretendimet e Argjentinës mbi ishujt Falklands, Xhorxhian e Jugut dhe Ishujt e Sanduiçit Jugor”, deklaroi Roncagliolio.

Ministria e Jashtme e Britanisë së Madhe, në një deklaratë, shprehu “keqardhjen për këtë vendim”. “Ndonëse pranimi i një vizite nga një anije luftarake është një vendim që i përket sovranitetit të një shteti, ne shprehim keqardhjen që Peruja është tërhequr nga aprovimi i dhënë më parë”, shkruhej në komunikatë.

Falklands, ishujt që ndodhen vetëm disa dhjetëra kilometra nga brigjet argjentinase, u pushtuan shkurtimish në vitin 1982 nga regjimi i juntës ushtarake të gjeneral Galtierit, por pushtimi përfundoi disa muaj pas ndërhyrjes së trupave britanike.

Argjentina fitoi pavarësinë nga Spanja në vitin 1810, së bashku me territorin e Falklands, të njohur në spanjisht si Malvinas. Megjithatë, Britania pushtoi ishujt në vitin 1831 dhe që prej atëherë, Falkland dhe disa arkipelage të tjerë pranë Argjentinës i përkasin Britanisë.

Top Channel