Të afërmit e gardianit nazist të Luftës së Dytë Botërore, John Demjanjuk, kërkuan që trupi i tij të kthehet në Shtetet e Bashkuara të Amerikës për t’u varrosur.
Demjanjuk ndërroi jetë në një qendër shëndetësore gjermane në moshën 91-vjeçare, ndërsa ishte duke pritur për apelin e çështjes së tij.
Avokatët e tij i kanë paraqitur autoriteteve gjermane kërkesën e të afërmve për ta rikthyer në Ohajo, ku jetonte përpara se të niste procesi kundër tij, i cili ndër të tjera, u shoqërua edhe me anullimin e shtetësisë së tij amerikane.
Efraim Zuroff, drejtues i një organizate hebrehe për të drejtat e njeriut dhe pjestar i organizatës “Simon Wiesenthal”, në Jeruzalem, u shpreh kundër dërgimit të trupit të të moshuarit pranë familjarëve të tyre. “Dërgimi i trupit të tij në SHBA do ta shndërronte në një demonstratë solidariteti dhe mbështetje për Demjanjuk, i cili është personi i fundit në botë që meriton ndonjë simpati”, deklaroi ai.
Megjithatë, të tjerë besojnë se Demjanjuk nuk ishte një figurë kyçe në Holokaustin e ndodhur gjatë Luftës së Dytë Botërore dhe si rrjedhojë, meriton respektin minimal si qënie njerëzore duke e lejuar që të varroset pranë familjes së tij.
Gjykata e shkallës së parë, e dënoi 91-vjeçarin për pjesëmarrjen në 20 860 vrasjeve të civilëve hebrenj dhe e dënoi me pesë vjet burg, por ai qëndroi i lirë deri në pritje të vendimit të apelit.
Top Channel