Përfaqësuesja e Lartë e BE-së, Catherine Ashton, fton 5 shtetet europiane që nuk e kanë njohur ende pavarësinë e Kosovës që të mos pengojnë proçesin integrues të vendit.
“Dëshiroj që të shoh se secili prej vendimeve në lidhje me Kosovën, do të kalojë pa vërejtjet e ndonjë shteti anëtar në Këshillin e Ministrave dhe se do mundësohet afrimi i Kosovës me Bashkimin Europian” u shpreh Ashton në Komitetin e Jashtëm të PE.
Shefja e diplomacisë europiane tregoi se ajo ka për qëllim intensifikimin e mardhënieve mes Bashkimit Europian dhe Kosovës, duke siguruar se e ardhmja e Kosovës në BE është e garantuar, gjë për të cilën ajo kujtoi se gëzonte dhe mbështejtjen e 27 shteteve anëtare.
Përfaqësuesja e Lartë i cilësoi si historike arritjet e deritanishme të dialogut Prishtinë – Beograd.
“Kjo nuk do ishte e mundur pa përkushtimin personal të kryeministrit të Kosovës, Hashim Thaçi dhe Presidentit të Serbisë, Boris Tadiç“, tha Ashton duke këshilluar vazhdimin e mbështetjes së tyre për këtë proçes.
Por, ajo pranoi se zbatimi i marrëveshjeve të arritura në këtë dialog nuk është i lehtë, duke fajësuar për këtë “ata që nuk dëshirojnë të shohin sukses në biseda” siç u përgjigj ajo ndaj pyetjeve të eurodeputetëve, në fund të seancës raportuese mbi zhvillimet e fundit në Iran e Siri.
Pergatiti: Arta Tozaj
Top Channel