Norvegji, orteku vret 5 turistë

19/03/2012 00:00

Pesë turistë janë vrarë nga një ortek që ka rënë në malet në veri të Norvegjisë, kanë bërë të ditur autoritetet lokale.

Orteku varrosi gjysmën e një grupi prej 12 skiatorësh në Kafjord, pesë prej të cilëve zviceranë dhe një francez.

Drejt vendit të ngjarjes autoritetet dërguan menjëherë një helikopter mjekësor dhe skuadrat e shpëtimit, të cilat gjetën vendndodhjen e skiatorëve përmes sinjalit të radiomarrëseve të tyre.

Pas përpjekjeve të shumta u gjetën trupat e pajetë të pesë personave, ndërsa një prej tyre mbijetoi dhe është dërguar në spital. Identitetet dhe kombësitë e personave nuk bëhen të ditura.

Shefi i policisë i rajonit të Tromsos deklaroi se orteku ndodhi në malin Sorbmegaisa ditën e hënë, pas mesditës.

Oficeri Tor Einar Eilertsen tha për agjencinë e lajmeve “AFP” se rreth orës 14:30 policia u informua se një grup prej 12 personash ishte goditur nga vala e dëborës.

Gjithësej në operacionin e shpëtimit u angazhuan rreth 30 persona, të cilët u ndihmuan nga qentë e dëborës për të nuhatur trupat e varrosur.

Orteqet janë të zakonshme në Norvegji në këtë periudhë të vitit, pasi temperaturat e larta të pranëverës shkrijnë blloqet e dëborës duke shkaktuar vërshimin e tyre.

Top Channel