Nuk ka asnjë pengesë që zgjedhjet presidenciale në Kosovë të mos mbahen në fund të këtij viti. Zërat se ato mund të shtyhen për shkak të Komisionit Parlamentar për Reformën Kushtetuese i ka hedhur poshtë vetë kryetari i këtij komisioni, Arsim Bajrami, pasi sipas tij, të gjitha ndryshimet janë përfunduar me kohë dhe presidenti i ardhshëm mund të zgjidhet direkt nga populli.

Këto komente Bajrami i bëri në mbledhjen e fundit të këtij komisioni, i cili të hënën përfundoi punën e nisur muaj më parë dhe bashkë me këtë janë bërë edhe ndryshimet e nënit 84 të Kushtetutës ku flitet për kompetencat e presidentit, të cilat do të dërgohen në Gjykatën Kushtetuese për të parë nëse janë në përputhje me të drejtat e njeriut, dhe më pas do të kthehen sërish në Kuvend për miratim.

“Komisioni ka qenë korrekt, po e përfundon mandatin me sukses dhe nuk merr asnjë përgjegjësi për datën e zgjedhjeve, kjo është detyrë e kryetarit të Kuvendit”, deklaroi Bajrami.

Sipas Bajramit, me ndryshimin e nenit 84 presidenti i ardhshëm që do të zgjidhet nga populli nuk do të jetë më një president ceremonial, por i fuqishëm dhe që nuk prodhon kriza politike, sepse siç ka argumentuar ai, presidentët konsensualë deri më tani kanë qenë të paqëndrueshëm.

Por, e pakënaqur në mbledhjen e fundit ka dalë lëvizja Vetëvendosje, ku përfaqësuesi i saj tha se disa ndryshimet kanë ardhur në tavolinë 5 minuta para fillimit të mbledhjes dhe pas një takimi të liderëvë politikë ku nuk është ftuar ky subjekt politik.

“Kjo fillimisht e bën mbledhjen joparimore në një aspekt dhe më motivon mua që çështjet kushtetuese të mos trajtohen në komision, por me to të merret Parlamenti”, deklaroi Afrim Kasolli, deputet i Vetëvendosjes.

Në mungesë të një konsensusi për disa çështje, siç është “veto e presidentit”, deputetja e LDK-së, Vjosa Osmani shpjegoi se do të dërgohet në Kuvend ashtu siç është momentalisht, pra që “veto e presidentit” të mbivotohet me 61 vota të deputetëve, ndërsa u shpreh se puna në komision ka shkuar jashtëzakonisht mirë.

Tashmë, komisioni për reformën kushtetuese do të merret me një çështje tjetër, pasi që rezoluta e fundit e Kuvendit e detyron që të merret me ndryshimin apo shfuqizimin e neneve ku flitet për pavarësinë e mbikëqyrur të Kosovës.

Top Channel