Dy gazetarë britanikë të mbajtur në një burg libian janë liruar, konfirmoi të hënën Ministria e Jashtme Britanike (Foreign Office).
Gareth Montgomery-Johnson dhe Nicholas Davies-Jones kishin pranuar më parë akuzën e hyrjes ilegale në vend.
Ministria e Brendshme Libiane ishte ajo që informoi gjatë mëngjesit se nuk do të kërkonte që të dy reporterët të përballeshin me drejtësinë, pasi kishte marrë një falje formale prej tyre.
Jonson dhe Jones punojnë për televizionin iranian “Press TV”. Një zëdhënës i Foreign Office deklaroi: “Ne mirëpresimin lirimin e dy gazetarëve britanikë, që mbaheshin të burgosur në Libi. Zyrtarë të ambasadës sonë po kujdesen për t’i dhënë të gjithë asistencën për të cilën mund të kenë nevojë”.
Johnson dhe Jones u arrestuan në Misrata nga një brigadë paraushtarake në 22 shkurt. Fillimisht ata u akuzuan për spiunazh, akuzë për të cilën mund të rrezikonin dënimin me vdekje.
Lirimi i tyre përbën një sukses për disa organizata ndërkombëtare, që lobuan në llogari të tyre.
Top Channel