Gjykata Kushtetuese e Kosovës ka hedhur poshtë kërkesën e lëvizjes Vetëvendosje, për paligjshmërinë e vendimit të Kuvendit të Kosovës, që rrëzoi mocionin e saj për vendosjen e reciprocitetit me Serbinë.

Sipas raportimeve të “RTK”, Gjykata Kushtetuese e ka argumentuar vendimin e saj duke e cilësuar si “të papranueshme” kërkesën e Vetëvendosjes.

“Gjykata vlerësoi se natyra e kërkesës së parashtruesve ishte jashtë kufijve të juridiksionit të gjykatës, sipas nenit 113.5 të Kushtetutës”, thuhet në vendimin e organit të lartë gjyqësor.

Më 20 janar, Partia Demokratike e Kosovës prezantoi në Kuvend një anti-mocion që pasi u miratua rrëzoi mocionin e lëvizjes së Albin Kurtit, i cili kishte të bënte me vendosjen e reciprocitetit ndaj Serbisë.

Pas këtij vendimi të Parlamentit, deputeti Visar Ymeri dhe 12 deputetë të tjerë parashtruan një kërkesë përmes të cilës kontestuan kushtetueshmërinë e vendimit që çoi në miratimin e mocionit të PDK-së.

Gjithashtu, Vetëvendosje kundërshtoi edhe vendimin e Parlamentit për mbështetjen dhe zbatimin e marrëveshjeve të arritura mes Kosovës dhe Serbisë.

Sipas parashtruesve të kërkesës, ky vendim ishte një ratifikim i marrëveshjeve ndërkombëtare, gjë që parashikon respektimin e proçedurës në nenin 18 të Kushtetutës së Kosovës.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA