Kubë, arrestohen protestuesit opozitarë

19/03/2012 08:40

Policia kubaneze ka arrestuar dhjetëra aktivistë opozitarë një javë para vizitës së Papa Benediktit XVI.

Shumica e të ndaluarve janë të grupit Zonjat me të Bardha (Damas de Blanco), të cilat kërkojnë lirimin e të burgosurve politikë. Shumica e tyre u arrestuan gjatë marshimit në bulevardin kryesor të kryeqytetit Havana.

Zëdhënës të grupit Zonjat me të Bardha shprehen për BBC se autoritetet kanë rritur presionin ndaj tyre kohët e fundit, ndërsa burime qeveritare deklarojnë se grupi është paguar nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës për të nisur revolucionin në Kubë.

Të shtunën u arrestuan 19 anëtare të grupit gjatë një marshimi në Havana, ndërsa të dielën në mëngjes policia arrestoi 36 të tjerë, përfshirë kryetaren Bertha Soler.

Shoqatat e të drejtave të njeriut në vendin komunist i kanë dënuar këto arrestime dhe janë shprehur se nuk e dinë se ku po mbahen të arrestuarat.

Top Channel