Edhe pse është renditur gjithmonë si një ndër perlat e bregdetit shqiptar, Ksamili i sotëm, përveç emrit ka ruajtur pak nga madhështia e dikurshme.
Kanë kaluar mëse dy vjet nga shkatërrimet e ndërtimeve pa leje, por ato janë sërisht aty. Ndërtesa shumëkatëshe gjysëm të rrënuara, të cilat mund të kthehen në çdo moment në rrezik për jetën e banorëve.
Mpleksja e tyre me ndërtimtarinë pa kriter e ka bërë Ksamilin një qendër kaosi urbanistik që kërkon me çdo kusht ndërhyrjen e shtetit. Reportazhi i përjavshëm i “Shqipërisë Tjetër” dëshmoi gjendjen katastrofike në atë që ishte dikur perla e jugut.
“Shtëpitë e shembura janë shndërruar tashmë në një problem serioz për fëmijët, që shkojnë luajnë atje dhe janë të rrezikuar nga hekurat apo ndonjë shembje e mundshme. Duhet një ndërhyrje e menjëhershme e shtetit për të zgjidhur këtë situatë”, thotë Gëzim Daçi, banor i Ksamilit.
Vendasit tregojnë se pas shkatërrimit të më shumë se 240 godinave pa leje, nga ana e shtetit u hoqën në një aksion jo më shumë se dhjetë ndërtesa. Gjithçka tjetër u la në rrugët e Ksamilit, të kthyer thuasje në një Kandahar shqiptar.
Ksamili i dikurshëm i agrumeve ka mbetur vetëm një kujtim, ndërsa sot qyteti është i mbytur nga betoni gri, e agrumet gjenden po aq rrallë sa lapidarët e një lufte që nuk u luftua kurrë në kohën e kumunizmit.
Dhoksika Dhojeri, edhe ajo banore, rrëfen: “Kam qenë edhe unë në këtë vend në kohën kur vinim për aksione. Kemi hapur tokën me punë vullnetare, për të mbjellur ullinj, portokallë, mandarina. Tani është bërë vetëm beton”.
Ashtu si në të gjithë Shqipërinë, përgjegjësinë e mbajnë banorët dhe janë po ata që vuajnë pasojat. Shtetarët që lejuan të gjithë këtë masakër urbane, ndërtimet e tyre i kanë të paprekura.
“Tek unë kanë ardhur turistë që kishin prenotuar nga dhjetë ditë, por kanë qëndruar vetëm tre ditë”, dëshmon Selman Novaku, edhe banor i Ksamilit.
“Ke bërë një punë shumë të mirë më thonë, por pa rrugë dhe me të gjitha mbeturinat katastrofike që janë është me të vërtetë një tmerr”.
Të ndarë mes vetes në miq dhe armiq, në shtetarë dhe të pamundur, në autoktonë dhe të ardhur, të varfër e të pasur, ksamilasit bashkëjetojnë në një klimë të mungesës totale të besimit.
“Këtu nuk gjen dot asnjë të drejtë. Me komunën nuk e zgjidh dot se ai që ka bërë këtë është në hipotekë. i vëllai i tij ka qenë kryetar komune, i përputhte letrat si të donte. Planimetra aq e bukur që ka qenë për Ksamilin tashmë është prishur tërësisht”, ankohet një tjetër banor.
Edhe pse banorët e Ksamilit kërkojnë me ngulm zgjidhjen e problemit të pronës, asgjë nuk është bërë, ndërkohë që zonës po i shtohen frikshëm banorët e dyshimtë me vendime gjykate tejet të dyshimta.
“Duhen investime për infrastrukturën dhe për të hequr të gjithë këto rënoja. Nuk e meritojnë ksamiliotët këtë. Kërkoj investime për rrugë dytësore, për gjelbërim. Fatkeqësisht, kjo nuk bëhet vetëm me dëshirë, pasi ka nevojë edhe për investim. Këto investime, fatkeqësisht deri tani kanë munguar tërësisht”.
Rënoja të kudondodhura, prona e pronarë të mbivendosura ku me letra e ku pa letra që ikin e vijnë, një det i privatizuar mes ndërtimesh të vjetra e të reja. Mungesa e investimeve dhe e vëmendjes, e kanë shqyer Ksamilin, dikur perlën e jugut, si mos më keq.
Top Channel