Bode vlerëson raportin e BB

19/03/2012 17:20

Ministri i Financave, Ridvan Bode e quajti raportin e fundit të Bankës Botërore mbi ekonomitë europiane si dëshminë më të mirë për suksesin ekonomik të Shqipërisë.

Në një dalje publike para mediave, zoti Bode tha se raporti çertifikon politikat pro rritjes ekonomike, që sipas tij ka ndjekur qeveria gjatë viteve të fundit.

Sipas kreut të Financave, ishin këto politika të cilat bën të mundur që Shqipëria të qëndrojë jashtë krizës së përbotshme ekonomike.

I pyetur nga gazetarët, ministri i Financave u shpreh se Shqipëria ka nevojë të reformojë skemën e pensioneve, ndërsa në lidhje me borxhin publik ripërsëriti qëndrimin se nuk përbën rrezik për ekonominë.

Deklarata e Bode vjen dy ditë pasi ekonomisti numër një i Bankës Botërore për Evropën dhe Azinë, Intermit Gill tha në një intervistë për Top Channel se Shqipëria duhet të ulë borxhin publik në 40 për qind të Prodhimit Kombëtar.

“Unë mendoj se në rastin e Shqipërisë, gjëja që duhet parë është borxhi publik. Borxhi i Shqipërisë është i lartë për vende me të ardhura të mesme. Në nivelin 60 për qind ai konsiderohet 20 pikë përqindje ndaj GDP-së më i madh. Kjo do të thotë se ka një kosto për ta financuar këtë borxh dhe kjo zakonisht merr fonde nga sektorë të tjerë si shëndetësia apo arsimi”, tha Gill.

Zoti Gill ishte në Tiranë për të prezantuar raportin e “Rritja e Artë”, të publikuar së fundmi nga Banka Botërore, ku ai është dhe një nga autorët kryesorë.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA