Agjencia e OKB-së për energjinë bërthamore, ANEB, deklaron se është ftuar të vizitojë Korenë e Veriut, tre vjet pasi inspektorët e saj ishin dëbuar nga vendi.
ANEB deklaron se ka marrë një letër nga Peniani më 16 mars, por detajet e saj janë ende në diskutim e sipër. “Do të diskutojmë me të gjitha palët.
Për momentin nuk është vendosur asgjë”, ka deklaruar zëdhënësja e agjencisë, Gill Tudor për agjencinë e lajmeve “Reuters”.
Muajin e kaluar Peniani ra dakord të ndërpriste pasurimin e uraniumit, sikurse testet e raketave bërthamore dhe atyre me rreze të gjatë veprimi.
Gjithashtu, ai ra dakord që të lejonte ardhjen në vend të inspektorëve të Kombeve të Bashkuara, deklaruan Shtetet e Bashkuara. Në këmbim Uashingtoni duhet të sigurojë 240 mijë tonelata ushqim për veriun.
Lëvizja vjen tre muaj pasi Kim Jong un erdhi në pushtet pas vdekjes së të atit Kim Jong il. Por deklarata e Koresë së Veriut për të bashkëpunuar me komunitetin ndërkombëtar u vu në dyshim javën e kaluar, kur Peniani njoftoi planet për të lëshuar një satelit-raketë në hapësirë.
Veriu deklaroi se lëshimi i objektit, që do të bëhet mes 12 dhe 16 prillit, do të shënojë ditëlindjen e Liderit të Madh Kim Il Sung.
Çdo lëshim do të shihet si një shkelje e rezolutave të Këshillit të Sigurimit të OKB-së nga Shtetet e Bashkuara, të cilat e kanë cilësuar planin e Penianit si “shumë provokues”.
Ndaj këtij projekti u shpreh disa ditë më vonë shumë e shqetësuar edhe Kina. Zëvendësministri i Jashtëm, Zhang Zhijun thirri në një takim ambasadorin e Penianit për të shprehur shqetësimin e Pekinit.
Top Channel