BE dënon ekzekutimet në Bjellorusi

Liderat e Bashkimit Europian dënuan njëzëri Bjellorusinë për ekzekutimin e dy personave, të akuzuar për realizimin e një sulmi me bombë në metronë e kryeqytetit, Minsk.

Ekzekutimet u realizuan ditën e premte, lajmëroi televizioni shtetëror. Në nëntor 2011, Gjykata e Lartë e Bjellorusisë dënoi me vdekje 25-vjeçarët Dmitry Konovalov dhe Vladislav Kovalyov, për realizimin e atentatit të prillit 2011, që vrau 15 persona dhe plagosi dhjetëra të tjerë.

Presidenti Alexander Lukashenko vendosi që të mos pranonte kërkesën e faljes së jetës nga dy të dënuarit ditën e mërkurë dhe 48 orë më pas u realizua ekzekutimi i tyre.

Familjarët nuk ishin lajmëruar dhe nuk iu dha mundësia e një takimi të fundit me djemtë e tyre. Nëna e Kovalyov deklaroi për mediat se ajo u informua për pushkatimin e të birit vetëm nëpërmjet një letre.

Grupet e të drejtave të njeriut kishin hedhur dyshime më parë mbi përgjegjësinë e 25-vjeçarëve. Konovalev pranoi fajin në fillimin e procesit gjyqësor, ashtu si i pandehuri i dytë, por më pas ai tërhoqi dëshminë e tij, duke treguar se në hetuesi i ishte nënshtruar rrahjeve brutale për pranimin e fajit.

Presidenti i Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Europës, Jean-Claude Mignon, deklaroi se “ekzekutime të tilla nuk kanë vend në një shoqëri të civilizuar”.

Berlini zyrtar deklaroi se ekzekutimet do të përkeqësojnë edhe më shumë marrëdhëniet dypalëshe. “Lukashenko largohet gjithmonë e më shumë nga vlerat europiane”, deklaroi zëdhënësja e Merkel. Një deklaratë të ashpër rezervoi edhe kryediplomatja e BE-së, Catherine Ashton.

Bjellorusia është vendi i vetëm në Europë ku dënimi me vdekje është i ligjshëm. Ndonëse të dhëna zyrtare nuk publikohen, besohet se rreth 300 persona janë ekzekutuar në Bjellorusi, që prej shpërbërjes së Bashkimit Sovjetik.

Top Channel