Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, ka kërkuar sërish dorëheqjen e qeverisë së Kosovës. Ai e ka përseritur këtë në një fjalim të mbajtur para anëtarëve të Këshillit të Përgjithshëm të kësaj force politike, pasi sipas tij, qeveria e tanishme ka pranuar të heqë termin Republikë në përfaqësimin rajonal të Kosovës.

“Ne nuk kemi nevojë që Kosovës t’ia ndryshojmë emrin e t’ia vëmë në dyshim shtetësinë. Kjo ishte nevojë e Serbisë të cilën e plotësoi kryeministri aktual. Ne të Vetëvendosjes nuk heqim dorë nga Republika, qeveria duhet të japë dorëheqje”, theksoi Kurti.

Duke folur për planifikimet e Serbisë që të mbajë zgjedhje edhe në Kosovë, Kurti tha se Serbia po dikton edhe axhendën e brendshme politike të Kosovës, pasi është bërë e pamundur të mos merresh me nismat dhe projektet e Serbisë. Për më tepër, sipas Kurtit, dobësimi i shtetit të Kosovës po e trimëron edhe qeverinë e Maqedonisë, për “ekspeditat shoviniste e antishqiptare”.

“Duke biseduar me Serbinë për çështje të brendshme të Kosovës dhe pa kushte paraprake për Serbinë, Kosova po përfundon e kushtëzuar nga Serbia dhe disi dalëngadalë po bëhet çështje e brendshme e Serbisë. Për të qenë edhe më keq se kaq, dobësimi i shtetit të Kosovës duket se po e trimëron edhe qeverinë e Maqedonisë në ekspeditat e saj shoviniste, antishqiptare, kundër shqiptarëve autoktonë atje”, shtoi kreu i Vetëvendosjes.

Kurti ka shprehur edhe një herë kundërshtimet e Vetëvendosjes për dialogun që po zhvillohet në Bruksel, pasi sipas tij, po fiton vetëm Serbia, ndërsa ka thënë se Kosova e pati shansin unik që të kushtëzojë Serbinë, pasi asaj po i duhen marrëveshje me Kosovën për të ecur drejt anëtarësimit në Bashkimin Europian.
 

Top Channel