Policia e Vlorës shoqëroi dhjetëra persona deri në orët e para të mëngjesit për të mbledhur informata të mëtejshme në lidhje me vrasjen e 31-vjeçarit Fation Bani mbrëmjen e vonë të së shtunës.
Pjesa më e madhe e të shoqëruarve kanë qenë persona në dijeni për ngjarjen, shokë dhe miq të autorit të dyshuar të vrasjes, 21-vjeçarit Juxhin Dauti. Policia mendon se ai nuk është larguar shumë larg nga qyteti i Vlorës dhe është duke kontrolluar banesat e miqve dhe të afërmve të tij.
Por policia ka shoqëruar edhe miq të viktimës për të hetuar në lidhje me motivin e mundshëm të krimit të rëndë.
Viktima Fation Bani dhe i dyshuari si ekzekutori i tij kanë qenë fqinj prej shumë vitesh dhe nuk rezulton të kenë patur ndonjëherë konflikt. Një gjë e tillë e ka vështirësuar së tepërmi hetimin, pasi edhe të dhënat nga dëshmitarët nuk kanë zbardhur ndonjë dyshim në lidhje me vrasjen.
Bani ndodhej në një automjet me targa italiane kur u qëllua tre herë me një pistoletë në trup. Mjeti ishte në ecje dhe pasi 31-vjeçari u godit automjeti tij është përplasur me një tjetër mjet të parkuar pranë repartit zjarrfikës të Vlorës. Por mëngjesin e së dielës edhe fshati Bujqës në Elbasan u trondit nga një ngjarje e rëndë. Një 20-vjeçar mbeti viktimë e plumbave. I riu, i quajtur Donald Lamçe, u qëllua nga një bashkëfshatar i tij dhe ndërroi jetë në vëndngjarje.
Burime policore informuan se kanë mundur të identikojnë vrasësin, i cili është larguar nga vendngjarja. Forcat e rendit janë duke punuar intensivisht për të vendosur nën pranga autorin, i cili është shpallur në kërkim.
Top Channel