Një shtetas amerikan u ekzekutua nga një person ende i paidentifikuar në qytetin e dytë më të madh të Jemenit, Taiz, konfirmuan burime zyrtare.
Ai ishte zëvendësdrejtor i një shkolle gjuhësh, ku mësonte anglishten. Mësuesi ishte duke udhëtuar me makinën e tij, kur një motorçiklist e qëlloi dhe u largua me shpejtësi.
Ngjarja rrit frikën për mundësinë e fillimit të një fushate urrejtje ndaj të huajve, në vendin e përçarë nga rrymat ekstremiste islamike dhe lëvizjet separatiste.
Aktualisht, dhuna në Jemen është në një rritje eksponenciale, që prej protestave masive të nisura një vit më parë, që u konkretizuan me largimin nga pushteti të presidentit Ali Abdullah Saleh, pas 33 vitesh në pushtet.
Zëvendëspresidenti Abrabbuh Mansour Hadi u caktua në krye të shtetit më të varfër në Lindjen e Mesme një muaj më parë, por kjo nuk shërbeu për të qetësuar irritimin e turmave.
Top Channel