Prej orës 9 të mëngjesit të së dielës socialistët grekë kanë shkuar drejt 768 qendrave të votimit në mbarë vendin për të zgjedhur kryetarin e ri të tyre, Evangjelos Venizellos, që është edhe kandidati i vetëm për kryesinë e PASOK-ut.

E drejta për të votuar u është dhënë të gjithë anëtarëve dhe miqve të Partisë Socialiste, simpatizantëve si dhe emigrantëve të huaj.

Venizellos që është Ministër aktual i Financave dhe zv.Kryeministër i qeverisë Papadhimos, ka qënë prej vitesh një prej anëtarëve kryesore të socialistëve.

Pasi ka humbur si rival përballë Jorgos Papandreut në vitin 2007, ai merr sot drejtimin e partisë në një nga momentet  më të vështira për vendin, por edhe për vetë PASOK-un, që dy vjet e gjysëm më parë, erdhi në pushtet me 43.9% të votave të grekëve, por sot sondazhet nuk i japin më shumë se 13 % .

Ai ka bërë thirrje për të hapur një faqe të re të historisë në politikën greke duke synuar të mbledhë më shumë se 100.000 votues, një shifër që do të simbolizojë besimin e humbur të grekëve tek ky fillim i ri.
Venizellos, një orator i shkëlqyer dhe ambicioz, pritet të riorganizojë socialistët tashmë të përcarë, pas masave që ata u detyruan të marrin në mënyrë që mos falimentonte Greqia. Ai paraqet si arritje të madhe reduktimin e borxhit grek, por nga ana tjeter etiketohet si Ministri i Financave që ka vendosur më shumë taksa, përgjatë vetëm disa muajve në këtë post.

Evangjelos Venizellos është udhëheqësi i katërt në historinë e PASOK qysh prej vitit 1975 kur është krijuar. Për 22 vjet ka qënë në timonin e kësaj partie themeluesi i saj Andreas Papandreu, i pasuar nga Kostas Simitis për tetë vjet dhe po aq dhe Jorgos Papandreu, që dha dorëheqjen disa ditë më parë.

Zgjedhja e kryetarit të ri të PASOK-ut do të jetë një test përsa i përket pjesëmarrjes në zgjedhjet e ardhëshme parlamentare që do të zhvillohen pas disa javësh, ku socialistët besojnë të renditen tashmë pas konservatorëve që kryesojnë në sondazhe, por që nuk mund të qeverisin të vetëm, ndaj pritet përsëri një qeveri koalicioni midis tyre, megjithëse të dy palët deri tani e mohojnë si alternativë.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA