Siri, shpërthime në Damask, 27 të vdekur

17/03/2012 00:00

Të paktën 27 persona, policë dhe civilë, janë vrarë në dy shpërthime të regjistruara në kryeqytetin e Sirisë, Damask.

Lajmin e bën të ditur televizioni publik sirian, i cili i ka cilësuar shpërthimet si atentate terroriste dhe ka saktësuar se ato kanë plagosur 97 vetë. Të dhënat paraprake sugjerojnë se shpërthimet janë realizuar përmes automjeteve të mbushura me eksploziv.

Banorë dhe burime të opozitës deklarojnë se janë goditur ndërtesat e institucioneve të sigurisë, por motivet e atentateve janë ende të panjohura.

Lajmet nuk mund të verifikohen pasi aksesi i gazetarëve të huaj në Siri vazhdon të jetë rreptësisht i kufizuar. Shpërthimet vijnë dy ditë pas shënimit të përvjetorit të parë të kryengritjeve popullore kundër presidentit Bashar al Assad, që kanë lënë mbi 8 mijë të vdekur.

Protesta të reja anti-qeveritare u mbajtën të premten në disa qytete të Sirisë dhe u regjistrua një rikthim i dhunës në periferitë e Damaskut, për herë të parë që kur qeveria vendosi kontrollin ushtarak disa javë më parë.

Përleshjet mes luftëtarëve rebelë dhe forcave ushtarake të qeverisë janë raportuar edhe në shumë pjesë të tjera të vendit. Presidenti Bashar al Assad ngul këmbë se trupat e tij po luftojnë “banda të armatosura” që sipas tij synojnë të destabilizojnë Sirinë.

Ditën e premte, i dërguari i posaçëm i OKB-së dhe Ligës Arabe, Kofi Annan përsëriti apelin e tij për dhënien fund të dhunës dhe për lejimin e hyrjes së ndihmave humanitare në Siri.

Duke folur në Këshillin e Sigurimit të OKB-së, ai tha se po dërgonte një grup në Damask për të diskutuar mbi ngritjen e një misioni të ri vëzhguesish ndërkombëtarë.

Top Channel