Sulmohet me koktej molotovi ambasada e Maqedonise ne Prishtine. Ngjarja
ndodhi mbrëmjen e së premtes rreth orës 23:00 ndërsa përvec dëmeve të
vogla materiale nuk ka të lënduar në njerëz.

Përfaqësuesit diplomatik të Maqedonisë në Kosovë nuk pranuan të flasin për këtë rast. Ndërsa qytetarët thonë se nuk është dëgjuar zhurmë e madhe dhe se e kuptuan cfare kishte ndodhur vetëm pasi në vendin e ngjarjes dolën njësitet policore.

Ndonëse xhirimi pranë ambasadës ndalohet, nga ajo që shihet pasojat e vetme janë muret të cilat kanë marrë ngjyrë të zezë nga shpërthimi dhe disa çarje në pragun e derës kryesore.

Qytetarët shprehen se mund te ndodhte ndonjë katastrofë për shkak të rezervave të naftës që mban ambasada për nevoja të brendshme.

Policia e Kosovës bëri të ditur se në bazë të informacioneve të para policore dhe kontaktit me zyrtarë të Ambasadës  Maqedone dyshohet të kenë qenë të përfshirë tre persona të dyshuar me një automjet ngjyrë e bardhë, e cila e tipit ‘Toyota’. Policia është duke punuar intensivisht për zbardhjen e rastit dhe është vënë në kërkim të personave të dyshuar.

Shkupi: Kosovarët të zbardhin ngjarjen

Ministria e Jashtme maqedonase ka reaguar të shtunën duke dënuar ashpër sulmin e ambasadës së saj në Prishtinë me bombë molotov.

Nëpërmjet një komunikate për shtyp, diplomacia maqedonase i ka kërkuar qeverisë së Prishtinës që të zbardhë rastin në mënyrë që të tregojë vullnetin për fqinjësinë e mirë.

“Duke pasur parasysh se kjo ngjarje përbën një incident serioz, MPJ pret që incidenti të dënohet nga autoritetet kosovare, si dhe që të gjenden e të ndëshkohen autorët”, thuhet në komunikatë.

Në dokumentin në fjalë Shkupi zyrtar i kërkon gjithashtu qeverisë kosovare që të punojë për parandalimin e akteve të tilla, me qëllim ruajtjen e paqes dhe stabilitetit në rajon.

Prishtina: Sulmi ndaj ambasadës, i papranueshëm

Ndërkohë, edhe vetë Ministria e Jashtme e Kosovës e ka dënuar sulmin e mbrëmjes së të premtes, duke e cilësuar si një akt vandal dhe të papranueshëm.

“Ky akt vandal është tërësisht i papranueshëm dhe dëmton raportet miqësore mes dy shteteve”, thuhet në deklaratën e MPJ, ku u bëhet thirrje autoriteteve përkatëse që të zbardhin sa më parë ngjarjen.

“Ministria e Punëve të Jashtme e Republikës së Kosovës shpreh përkushtimin e fuqishëm të institucioneve shtetërore për forcimin e marrëdhënieve të fqinjësisë së mirë me Republikën e Maqedonisë”, theksohet më tej në komunikatë. 

Top Channel