Lëshimi satelitit, Peniani fton të huajt

17/03/2012 18:55

Koreja e Veriut ka në plan lëshimin në hapësirë të një sateliti dhe për këtë ka ftuar edhe ekspertë të hapësirës dhe gazetarë që të jenë të pranishëm në ceremoninë e nisjes së raketës hapësinore.

Misioni i parë hapësinor i vendit komunist pritet të kryehet gjatë muajit prill në përkujtim të Liderit të Madh koreano-verior, Kim Il Sung.

Lajmi njoftohet nga agjencia shtetërore e lajmeve e cila shtoi se “për qëllime transparence” janë të ftuar të marrin pjesë në ceremoninë e lëshimit të satelitit, gazetarë të huaj dhe ekspertë ndërkombëtarë të hapësirës.

Ndërkohë, Shtetet e Bashkuara e kanë cilësuar këtë hap të Koresë së Veriut si një provokim të hapur, ndërsa aleati historik i Penianit, Pekini ka shprehur shqetësimin për planet koreano-veriore.

Agjencia shtetërore kineze “Xinhua” deklaroi se zëvendësministri i Jashtëm, Zhang Zhijun u takua me ambasadorin e Penianit për të shprehur shqetësimin e Pekinit.

Çdo lëshim do të shihet nga Kina si një shkelje e rezolutave të Këshillit të Sigurimit të Organizatës së Kombeve të Bashkuara. Zhang tha se të gjitha palët janë të detyruara të ruajnë paqen në gadishullin korean.

Top Channel