Kosovë, opozita për deklaratën e Thaçit

17/03/2012 02:36

Opozita në Kosovë ka vlerësimë të ndryshme pas deklaratës së fortë të kryeministrit Hashim Thaçi se në rast të ndryshimit të kufijve të Kosovës shqiptarët më së miri dhe më së lehti do të jetonin në një shtet të vetëm.

I pyetur se si e komenton këtë deklaratë, kreu i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa ka thënë se nuk e ka dëgjuar deklaratën, por nuk sheh asnjë mundësi që të ndryshohen kufijtë e Kosovës.
 
Isa Mustafa, Kryetar i LDK-së:

“Nuk e kam dëgjuar deklaratën, nuk e di si e ka paramenduar zoti Thaçi atë. Por unë nuk shoh asnjë mundësi që të ndryshohen kufijtë e Kosovës. Ne tashmë po ndërtojmë shtetin tonë dhe po angazhohemi që Kosovën të ndërtojmë si shtet në kufijtë që Kosova i ka të përcaktuar me kushtetutë”.
 
Në Lëvizjen Vetëvendosje që bashkimin kombëtar e kanë pjesë të planprogramit, deklarojnë se do të ishte mirë sikur ky të ishte një qëndrim i Qeverisë së Kosovës.
 
Rexhep Selimi, Deputet, Vetëvendosje:

“Unë druaj që ky nuk ka qenë thjesht qëndrim por ka qenë, ndoshta ka tingëlluar një lloj kërcënimi se nëse nuk ndodh kjo mund të ndodh kjo. Përveç kësaj, shqiptarët mund dhe duhet të jetojnë në një shtet të vetëm, por në gjithë territorin e saj, dhe kërcënimi se nëse ndryshojnë kufijtë e brendshëm të Kosovës Ne do të jetojmë në një shtet ndoshta nganjëherë tingëllon sikur, ne, në pjesën e mbetur të shqiptarëve të Kosovës do të bëhemi bashkë me Shqipërinë”.
 
Po ashtu, edhe qytetarët e komentojnë në mënyra të ndryshme deklaratën e Kryeministrit, ndërsa shprehen pro idesë së bashkimit të shqiptarëve në një shtet.
 
“Ide e mirë”, thotë Valdet Shala, një Qytetar nga Prishtina.

Ndërsa një tjetër: “Më shumë duket deklaratë politike”.

“Ndoshta kryeministri e ka parë që është e realizueshme”, thotë Rushit Bekaj.

 
Sidoqoftë, deklarata e kryeministrit Hashim Thaçi është bërë të enjten në seancën e Kuvendit, pasi Serbia ka shpallur mbajtjen e zgjedhjeve në Kosovë në fillim të majit, dhe zërave se duhet një dialog politik me Serbinë për veriun e Kosovës.

Top Channel