Kina e shqetësuar nga Koreja e Veriut

17/03/2012 00:00

Kina ka shprehur shqetësimin e saj lidhur me planet e Koresë së Veriut për të lëshuar një raketë-satelit në hapësirë.

Peniani do ta lëshojë objektin për të shënuar 100-vjetorin e lindjes së Liderit të saj të Madh, Kim Il sung, në muajin prill, kanë bërë të ditur mediat lokale.

Agjencia shtetërore kineze “Xinhua” deklaroi se zëvendësministri i Jashtëm, Zhang Zhijun u takua me ambasadorin e Penianit për të shprehur shqetësimin e Pekinit.

Çdo lëshim do të shihet nga Kina si një shkelje e rezolutave të Këshillit të Sigurimit të Organizatës së Kombeve të Bashkuara. Zhang tha se të gjitha palët janë të detyruara të ruajnë paqen në gadishullin korean.

“Ne sinqerisht shpresojmë se palët do të ruajnë qetësinë dhe do të marrin veprimet e duhura për të shmangur përshkallëzimin e tesnioneve, që mund të komplikojnë situatën”, tha Zhang.

Më herët, Shtetet e Bashkuara deklaruan se lëshimi i raketës-satelit do të përbënte një kërcënim për sigurinë rajonale, ndërsa Rusia e cilësoi projektin si “një shqetësim serioz”.

Ndërsa një zëdhënës i Komitetit Korean për Teknologjinë Hapsinore tha se lëshimi i objektit do të bëhet mes datave 12 dhe 16 prill. Sekretarja e Shtetit, Hillary Clinton e cilësoi njoftimin e Penianit si “tepër provokues” dhe i bëri thirrje vendit aziatik që t’u bindet detyrimeve ndërkombëtare.

“Lëshimi i një rakete të tillë do të përbënte rrezik për sigurinë rajonale dhe do të binte në kundërshtim me angazhimet e marra së fundmi nga Koreja e Veriut për të hequr dorë nga testimet e raketave me rreze të gjatë veprimi”, deklaroi Clinton.

Top Channel