
Parlamenti Europian u përfshi në një debat që ndezi faqja e re e
internetit përmes së cilës Partia për Liri në Hollandë (PVV) fton
qytetarët që të postojnë ankesat e tyre për europianët e Europës
Qëndrore apo Lindore.
Eurodeputetët pretendojnë se kjo faqe interneti bie ne kundërshtim me vlerat themelore europiane të dinjitetit njerëzor, lirisë, barazisë, sundimit të ligjit dhe respektimin e të drejtave të njeriut dhe e cilësojnë një “nismë të sëmurë” që me dashakeqësi synon për[arjen e shoqërisë për përfitime politike.
“Është e papranueshme që të ketë qytetarë të dorës së dytë në Europë. BE është një komunitet i vlerave dhe liria e lëvizjes e jo-diskriminimi janë parime themelore që përforcojnë procesin e integrimit europian”, tha presidenti i PE-së, Martin Schulz.
Përmes një rezolute, të miratuar me votim të hapur, eurodeputetët kërkojnë që autoritetet hollandeze të hetojnë nëse ftesa për të postuar ankesa ndaj europianëve të Lindjes apo të Europës Qëndrore përbën një nxitje të urrejtjes dhe diskriminimit dhe vlerëson se drejtuesit e qeverive të BE-së duhet ta dënojnë zyrtarisht atë pasi minon të drejtat e punëtorëve të BE-së”, të cilët sipas rezolutës, falë zgjerimit me vendet e reja europiane, kanë ndikuar pozitivisht në zhvillimin ekonomik të vendeve anëtare të Besë.
Parlamenti Europian në mënyrë specifike i kërkon Kryeministrit Mark Rutte, që të distancohet dhe t’a dënojë këtë iniciativë. “Qeveria hollandeze nuk mund të bëjë një sy qorr ndaj politikave të PVV-së që kundërshtojnë vlerat themelore të BE-së”, thuhet në rezolutë, duke kujtuar se angazhimi i qeverisë hollandeze për integrimin europian ka rënë ndjeshëm gjatë viteve të fundit, “siç tregohet nga pozicioni i saj për çështje të tilla si zgjerimi i zonës Shengen apo lëvizjes së lirë të punëtorëve”.
Parlamenti i bën thirrje Komisionit e Këshillit “që ebëjnë të pamundurën për të ndaluar përhapjen e qëndrimeve ksenofobe, si ato të shprehura në këtë faqe interneti dhe për të siguruar se Vendimet e BE-së mbi racizmin dhe ksenofobinë zbatohen siç duhet në të gjitha vendet anëtare”.
Pergatiti ARTA TOZAJ
Top Channel