Chavez kthehet në Venezuelë

17/03/2012 00:00

Presidenti venezuelian Hugo Chavez është rikthyer në shtëpi pasi iu nënshtrua një tjetër operacioni kirurgjik kundër kancerit në Kubë.

Chavez, 57 vjeç, ka qenë në Kubë për tre javë rresht, për të marrë mjekime për shkak të ringjalljes së kancerit, të cilin ai e kishte kuruar njëherë vitin e kaluar. Ai tha se po e merr veten por se i duhej të bënte radioterapi.

Sëmundja e tij ka shkaktuar pasiguri politike në prag të zgjedhjeve presidenciale që mbahen në tetor, ku Chavez do të kërkojë të rizgjidhet.

Presidenti përshëndeti me dorë dhe qeshi teksa zbriste nga avioni në aeroportin ndërkombëtar të Karakasit, ku u prit nga ministrat e qeverisë.

“Ky është një kthim i ri, është një lutje e madhe, një këngë dashurie dhe në të njëjtën kohë një angazhim”, tha Chavez në një fjalim emocional të transmetuar në televizionin publik.

Ai gjithashtu akuzoi kundërshtarët e tij në mediat venezueliane se po përpiqen të shkaktojnë frikë dhe pasiguri në vend. “I bëj thirrje popullit që të ruajë qetësinë”, tha ai.

Më herët presidenti kishte njoftuar kthimin e tij në Venezuelë përmes një mesazhi në rrjetin social Twitter. “Mirëdita, botë e mirë”, thoshte ai në njoftimin e shkurtër.

“Aktualisht po nisemi nga aeroporti ndërkombëtar Jose Marti, duke u drejtuar për në jug, për në Atdhe. Faleminderit o Zot!”, thoshte Chavez.

Top Channel