Arrestohet kryespiuni i Gaddafi-t

17/03/2012 00:00

Shefi i shërbimeve të inteligjencës të regjimit të kolonelit Muammar Gaddafi është arrestuar në Mauritani, bëjnë të ditur mediat ndërkombëtare.

Sipas burimeve, që citojnë autoritetet lokale, Abdullah al Senussi është ndaluar në aeroportin e Noukaçotit. Senussi, 63-vjeç, ishte gjithashtu kunati i Gaddafi-t dhe është konsideruar si një nga personat më të besuar të tij.

Ai la Libinë kur Gaddafi u rrëzua nga pushteti dhe u vra vitin e kaluar, pas muajsh të tërë protestash e luftimesh të rënda dhe kërkohet nga Gjykata Ndërkombëtare Penale për krime kundër njerëzimit.

Autoritetet e sigurisë në Mauritani kanë deklaruar se Senussi u arrestua gjatë natës, teksa mbërriti me një fluturim të rregullt nga qyteti maroken i Kasablankës me një pasaportë të rremë nga Mali.

Por as Gjykata Ndërkombëtare Penale dhe as qeveria libiane nuk kanë qenë në gjendje të konfirmojnë lajmin. Korrespondenti i BBC, Sebastian Usher thotë se nëse ish-kryespiuni është arrestuar, ai mund të sigurojë detaje të rëndësishme të punëve të brendshme të ish-regjimit të kolonelit.

Libi, protesta për autonomi në Bengazi

Përleshje të dhunshme në një manifestim përmes të cilit kërkohej gjysmëautonomi për territorin në lindje të Libisë janë regjistruar në Bengazi, ku si pasojë një person ka humbur jetën.

Dëshmitarët deklarojnë se një turmë që ngrinte parulla për gjysmëautonomi për rajonin Sirenaika u sulmua nga persona të armatosur, të cilët hapën zjarr.

Plani në fjalë kërkon krijimin e një parlamenti rajonal me kontroll mbi policinë, por druhet se ai mund të ndajë Libinë. Plani ka shkaktuar kritika të ashpra nga shumë politikanë që mendojnë se ai mund të çojë në shpërbërjen e vendit.

Dhuna e së premtes erdhi pasi qindra persona marshuan në Sheshin e Lirisë, në Bengazi, ku Ahmed Zubair al Senussi, kryetar i këshillit rajonal që kërkon ndarjen, mbajti një fjalim.

Dëshmitarët deklaruan se persona të armatosur me pushkë dhe thika kërcënuan turmën. Një protestues, Bashar al Denali, tha se personat e tubuar u trembën dhe braktisën sheshin, që u pushtua më pas nga personat e armatosur.

Burime spitalore deklaruan se një person është vrarë dhe pesë të tjerë janë plagosur, disa prej të cilëve janë në gjendje të rëndë.

Milicitë ushtarake në Bengazi, që kanë qenë përgjegjëse për sigurinë në qytet që nga rënia e Muammar Gaddafi-t vitin e kaluar, përzunë agresorët dhe vendosën rendin, thanë disa dëshmitarë. Të premten e kaluar, demonstruesit mbushën rrugët e Tripolit dhe Bengazit për të protestuar kundër federalizmit.

Pas pavarësisë në vitit 1951, tre rajonet e Libisë, Sirenaika, Tripolitania dhe Fezani gëzonin pushtet federal, derisa vendi u unifikua në një shtet të vetëm në vitin 1963.

Disa ditë më parë, Këshilli Kombëtar i Tranzicionit, i cili po kryen rolin e një qeverie të përkohshme në Libi, refuzoi kërkesën e disa përfaqësuesve të krahinave lindore për autonomi të gjerë dhe një shtet federal. 
 

Top Channel