Rusia dhe Serbia kanë rikonfirmuar qëndrimin e tyre të njëjtë përsa i përket Kosovës, gjatë një takimi të zhvilluar mes dy ministrave të Jashtëm, Sergei Lavrov dhe Vuk Jeremiç.
Në një konferencë të përbashkët për shtyp, dy ministrat kanë deklaruar se çështja e Kosovës mund të zgjidhet vetëm përmes dialogut dhe duke respektuar të drejtën ndërkombëtare dhe rezolutën 1244.
“Praktikisht marrëdhëniet mes Serbisë dhe Rusisë nuk kanë pësuar asnjë ndryshim pasi Serbia mori statusin e vendit kandidat”, ka deklaruar ministri Jeremiç.
Ndërkohë, ministri i Brendshëm serb, Ivica Daçiç ka kritikuar nga Shkupi deklaratën e kryeministrit kosovar Hashim Thaçi se, shqiptarët do të jetojnë në një shtet të vetëm nëse do të ketë ndryshim kufijsh.
Ministri i Brendshëm serb e ka cilësuar Thaçin si “të përkëdhelurin e bashkësisë ndërkombëtare”, pasi sipas tij, nëse një deklaratë të tillë do ta bënte një politikan serb, atëherë do të reagonte gjithë komuniteti ndërkombëtar.
“Nëse atë deklaratë do ta kishte bërë ndonjë zyrtar serb, Këshilli i Sigurimit i OKB-së do të mbante menjëherë mbledhje. Por meqenëse këtë deklaratë e ka bërë Hashim Thaçi, i cili është i përkëdheluri i bashkësisë ndërkombëtare, atëherë ajo duket si një deklaratë normale dhe madje duhet duartrokitur”, ka thënë Daçiç.
Daçic ka deklaruar se Beogradit i intereson gjendja e serbëve dhe jo e shqiptarëve, të cilët sipas tij mund të jetojnë në 5 apo në një shtet. “Mua nuk më intereson se në sa shtete do të jetojnë shqiptarët, në 5 ose në 1 shtet, mua më intereson që të drejta të njëjta të gëzojnë edhe serbët”, ka shtuar ai.
Top Channel