Presidenti afgan Hamid Karzai ka folur sërish të premten lidhur me masakrën e civilëve nga një ushtar amerikan disa ditë më parë, duke akuzuar Shtetet e Bashkuara se nuk po bashkëpunojnë në hetime.
Karzai u ka thënë reporterëve se shefi i grupit hetimor afgan nuk ka marrë mbështetjen e pritur nga amerikanët, ndërkohë që deputetët afganë kanë kërkuar që marinsi të gjykohet në publik në Afganistan.
Gjithashtu, presidenti është shprehur se problemet që kanë të bëjnë me viktimat e shkaktuara nga forcat e NATO-s e kanë kaluar cakun. “Në kuptimin e plotë të fjalës, nuk ka më fill për të lëshuar”, ka theksuar Karzai.
Më herët zoti Karzai është takuar me familjarët e viktimave, të cilët kanë kërkuar drejtësi. “Masakra e së dielës në fshatin e provincës së Kandaharit ka shumë mundësi të jetë kryer jo vetëm nga një ushtar amerikan”, ka deklaruar Karzai pas takimit.
Ndërkohë, me vonë, ai ka zhvilluar një bisedë të re telefonike me presidentin amerikan Barack Obama, i cili i ka konfirmuar zbatimin e planit për dorëzimin e sigurisë nga NATO tek trupat vendase brenda vitit 2014.
Gjatë bisedës, Obama i ka bërë Karzait urimet e tij personale, pasi presidenti afgan është bërë sërish baba me bashkëshorten e tij Zenat Quraishi.
Me dy hetimet e nisura nga zyrtarët amerikanë dhe ata afganë, nëse do të zbulohej se ngjarja në Kandahar nuk ishte vepër e një ushtari të vetëm, kjo do të ishte një goditje shumë e fortë për NATO-n, ndërsa udhëheqësit perëndimorë po përpiqen të shënojnë sukses në prag të terheqjes së trupave luftarake në vitin 2014.
Shumë prej pjesëtarëve të familjeve besojnë se bëhet fjalë për më shumë se një ushtar. Të revoltuar nga ngjarja, afganët kërkojnë gjykimin e ushtarit në Afganistan. Por ai do të dërgohet në Shtetet e Bashkuara, nga Kuvajti ku po qëndron pas ngjarjes.
Të tjera detaje u mësuan nga avokati i ushtarit. John Henry Brown tha se klienti i tij ishte plagosur dhe kishte pësuar dëmtime në tru gjatë shërbimit në Irak. Kjo ishte hera e katërt që ai shërbente në një zonë lufte. Brown hodhi poshtë çfarë ishte shkruar në “New York Times”, se vrasjet ishin një përzierje stresi, alkooli dhe problemesh familjare.
Të enjten, Hamid Karzai kërkoi largimin e ushtarëve të NATO-s nga fshatrat afgane dhe pozicionimin në bazat e mëdha. Ai gjithashtu kërkoi dorëzimin e stafetës së sigurisë tek policia dhe ushtria afgane në vitin 2013, një vit përpara afatit të caktuar.
Kjo do të dobësonte strategjinë e presidentit amerikan për Afganistanin dhe do të dobësonte përpjekjet për të trajnuar policinë afgane dhe ndihmën për qeverisjen lokale.
Nga ana tjetër, Karzai ka shumë pak mundësi manovrimi në një luftë që vuri në provë si atë, ashtu edhe presidentin amerikan. Nga ana tjetër, talebanët ndërprenë dialogun me Shtetet e Bashkuara pas vrasjeve te 16 civilëve, megjithëse nuk e përmendën ngjarjen në deklaratën e tyre të tërheqjes.
Top Channel