Falklands, Britania sulmon Argjentinën

16/03/2012 08:20

Britania e Madhe iu kundërpërgjigj ashpër kërcënimeve të Argjentinës për ngritjen e një padie kundër eksplorimeve për rezerva nafte pranë ishujve Falklands, duke e cilësuar si një “kanosje të paligjshme”.

Ministri i Jashtëm i Argjentinës, Hector Timmerman, kërcënoi për nisjen e një procesi ligjor kundër të gjitha firmave që nisnin shpimet në ishujt britanikë të ndodhur vetëm disa dhjetëra kilometra nga bregdeti argjentinas.

Sipas tij, kërkimet në ujra të diskutuara binin ndesh me parimin e sovranitetit. Megjithatë, Londra zyrtare u përgjigj ashpër ditën e premte, duke theksuar sa ka të gjithë të drejtën të vazhdojë përpara me eksplorimet, në bazë të ligjeve për sovranitetin.

”Ne do të vazhdojmë të mbrojmë ishujt Falklands, pjesë e pandashme e Mbretërisë së Bashkuar”, deklaroi kryeministri i Britanisë, David Cameron. “Banorët e Falklands nuk mund të bëhen më të qartë në dëshirën e tyre për të qënë pjesë e territoreve britanike të përtej detit”.

Ndërkohë, në një deklaratë të njëkohshme të publikuar nga Ministria e Jashtme (Foreign Office), shprehej keqardhja se “përpjekja e fundit për të dëmtuar interesat ekonomikë të banorëve të Falklands është shndërruar në një politikë zyrtare të qeverisë argjentinase”.

Gjatë 2012-s, përshkallëzimi i tensioneve për ishujt Falkland ka hyrë në një spirale të rrezikshme pasi disa vende të Amerikës së Jugut përkrahën nismën argjentinase për të bllokuar të gjitha mjetet lundruese me flamurin e Falkland që të ankoroheshin në portet latine.

Kësaj nisme, Britania iu përgjigj me militarizimin e ishullit, ku është dërguar edhe Princi William. Buenos Aires dërgoi si rrjedhojë në OKB një ankesë zyrtare më parë gjatë shkurtit, ndërsa shpalli bojkot edhe ndaj anijeve me flamur britanik. Sidoqoftë, kërkesa për ndëshkim në Këshillin e Sigurimit është e parealizushme, duke qenë se Britania ka të drejtë vetoje.

Argjentina fitoi pavarësinë nga Spanja në vitin 1810 së bashku me ishujt Falklands, të quajtur në spanjisht si Malvinas, por Perandoria Britanike i pushtoi në vitin 1833 dhe që prej atëherë, territori i përket kurorës së Mbretëreshës.

Në vitin 1982, Argjentina u përpoq të rikthente sovranitetin argjentinas duke pushtuar ishulljt, por Britania shpalli luftë dhe brenda tre muajsh i rifitoi në një luftë që i kushtoi jetën mbi një mijë ushtarëve dhe civilëve.

Aktualisht, në Falklands, territor me madhësinë e Kosovës, jetojnë mbi tre mijë persona, shumica e të cilëve e konsiderojnë veten britanikë.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA