Bin Laden donte të vriste Obamën

16/03/2012 17:35

Përpara vdekjes, Osama bin Laden urdhëroi rrjetin e tij për të organizuar celula të posaçme në Afganistan dhe Pakistan, për të sulmuar avionin e presidentit Barack Obama dhe gjeneralit David Petraeus.

“Arsyeja për t’u përqendruar tek ata është se Obama është kreu i pabesisë dhe vrasja e tij do të bëjë automatikisht nënpresidentin Joe Biden pasardhës të tij”, i ka shpjeguar lideri i Al Kaedës vartësve të tij.

“Biden është tërësisht i papërgatitur për atë post dhe do t’i fusë Shtetet e Bashkuara në krizë. Sa për Petraeus, vrasja e tij do të alternojë strategjinë e luftës në Afganistan”, ka thënë sheiku i terrorit.

Gjithësesi, burime zyrtare nga administrata amerikane deklaruan të premten se komploti ndaj Obama dhe Petraeus nuk ka qenë kurrë një kërcënim serioz.

Skema përshkruhet në një nga dokumentet e sekuestruara nga kompleksi ku jetonte Bin Laden, më 2 maj, natën kur dhe ai u vra.

Sipas “Washington Post”, dokumentet kanë qenë të klasifikuara, por ato do të bëhen së shpejti publike në arabisht dhe të përkthyera në anglisht.

Personi që Bin Laden shpresonte se do të kryente sulmet ndaj Obama dhe Petraeus ishte terroristi pakistanez Ilyas Kashmiri.

“Të lutem, kërkoi vëlla Ilyas të më dërgojë të dhënat mbi hapat që ka kryer për këtë punë”, i shkruante Bin Laden vartësit të tij Atiyah Abd al Rahman.

Ndërkohë, një muaj pas vdekjes së sheikut, Kashmiri u vra në një sulm me avion të telekomanduar nga aviacioni i Shteteve të Bashkuara.

Komploti në fjalë ka qenë me siguri një bllof, pasi Al Kaeda ka mungesë armësh për të mundësuar rrëzimin e avionëve amerikanë.

Por nga ana tjetër ai tregon se, edhe pse i dobësuar dhe në arrati, Bin Laden ende ëndërronte të kryente një sulm terrorist spektakolar ndaj Amerikës.

Top Channel