Qeveria e Kosovës ka akuzuar Serbinë se nuk po zbaton marrëveshjen për pjesëmarrjen në nismat rajonale, duke shprehur “zhgënjimin” e saj për këtë veprim të Beogradit.

Përmes një komunikate për shtyp, qeveria kosovare ka deklaruar se marrëveshja është shkelur pasi Kosovës nuk i është mundësuar pjesëmarrja në një samit mes Ballkanit dhe Turqisë, që po mbahet në Beograd.

“Kjo shkelje e marrëveshjes nga ana e Serbisë ka ndodhur sot, në kuadër të konferencës rajonale “Partneriteti për ndryshim”, e cila po mbahet në Beograd. Serbia, si organizatore e kësaj konference, ka dështuar të zbatojë pikën 2 dhe pikën 4 të marrëveshjes për përfaqësimin e Kosovës në nismat rajonale. Për rrjedhojë, përfaqësimi i Republikës së Kosovës në këtë konferencë është pamundësuar dhe përfaqësuesi i qeverisë sonë e ka braktisur atë”, thuhet në komunikatë.

Në dokumentin në fjalë, ekzekutivi kosovar saktëson se, në pikën 2 të marrëveshjes thuhet se: “Kosovo* është emërtimi që do të përdoret në kuadër të bashkëpunimit rajonal”.

Ndërsa në pikën 4 saktësohet se: “Kosova* merr pjesë si e pavarur dhe flet përmes përfaqësuesit të saj në të gjitha takimet rajonale”.

Prishtina zyrtare i ka bërë thirrje BE-së, që si ndërmjetës i bisedimeve dhe garantues i zbatimit të marrëveshjes, të veprojë për të siguruar aplikimin e saj në praktikë.

Më 24 shkurt Prishtina dhe Beogradi arritën marrëveshjen për bashkëpunimin rajonal, e cila parashikon prezantimin e Kosovës me një fusnotë që përmban rezolutën 1244 të OKB-së dhe mendimin e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë për aktin e shpalljes së pavarësisë.

Ajo u përshëndet në masë nga faktori ndërkombëtar, si nga shefja e Politikës së Jashtme të BE, Catherine Ashton, sekretarja amerikane e Shtetit, Hillary Clinton, si dhe një seri zyrtarësh të tjerë.

Pakti u kundërshtua ashpër nga opozita kosovare me pretendimin se e kthen Kosovën në kohën kur qeverisej nga UNMIK-u, me një status të papërcaktuar.

Por kongresmeni amerikan Eliot Engel u bëri thirrje kosovarëve që ta shohin atë në tërësi, duke nënvizuar se Kosova do të ketë më shumë përfitime se sa humbje nga nënshkrimi i këtij pakti.

Top Channel