
Një çift zviceran që mbahej peng nga talibanët pakistanezë është liruar pas 8 muajsh negociata, ka bërë të ditur ushtria lokale. Burri dhe gruaja u rrëmbyen në korrik të vitit të kaluar në provincën e Baloçistanit.
Ata u paraqitën në një pikë kontrolli ushtarake në Uaziristanin Verior, në afërsi të kufirit me Afganistanin ditën e enjte.
Burime të pakonfirmuara deklarojnë se çifti mund të jetë arratisur nga pengmarrësit, por nuk është ende e qartë nëse për lirimin e tyre është paguar një shpërblim, apo është bërë një shkëmbim mes të burgosurish.
“Çifti u paraqit këtë mëngjes në pikën e kontrollit në zonën e Tullit, në afërsi të kufirit me Uaziristanin Verior. Më pas ata janë dërguar në Peshauar me helikopter”, ka deklaruar ushtria pakistaneze.
Ndërkohë, nga ambasada zvicerane në Islamabad nuk ka pasur ende një reagim. Së fundmi burri dhe gruaja ishin shfaqur në një video ku kërkonin që t’u falej jeta.
Ata u rrëmbyen nga persona të paidentifikuar e të armatosur në zonën e Loralait, në korrik të vitit të kaluar, teksa udhëtonin nga qyteti Dera Gazi Khan për në kryeqendrën e provincës së Beluçistanit, Kueta.
Top Channel