Të përlotur, me tufa lulesh në duar familjarët e 26 viktimave të
tragjedisë së Gërdecit janë mbledhur në qendër të fshatit për t’ju
drejtuar më pas memorialit, ku janë skalituar emrat e atyre që humbën
jetën në fabrikën e vdekjes.

Një ritual që përsëritet për të katërtin vit radhazi. Ky i sivjetmi krahas dhimbjes mban edhe ngarkesën emocionale nga dhenia e një vendimi, sipas tyre të padrejtë, për të akuzuarit e kësaj ngjarjeje. Një prej tyre është një grua plakë, e cila kujton vajzën e saj e cila humbi jetën në shpërthim duke lënë pas tre fëmijë të vegjel. Gruaja fatkeqe thotë se e bija punonte në këtë fabrike përshkak të varfërisë.

Teksa vendosin lule në memorial, grate e veshura me te zeza akuzojne njerezit e drejtesise.

Familjarëve të viktimave u janë bashkuar edhe disa deputetët të opozitës. Ndersa kreu i opozitës Edi Rama vizitoi familjen e Zamira Durdës, gruas të kthyer në një ikonë të mbajtjes gjallë te protestes ne kerkim te drejtesise.

Sikurse edhe në përvjetoret e shkuara, ata që munguan këtë katër vjetor të përkujtimit të tragjedisë ishin zyrtarët e shtetit.

4 vjet nga tragjedia e Gërdecit

Sot mbushen plot 4 vjet nga tragjedia e Gërdecit, ku si pasojë e shpërthimit tragjik në fabrikën e demontimit të municioneve humbën jetën 26 persona dhe u plagosën mbi 300 persona.
 
Tre ditë para 4-vjetorit të tragjedisë së Gërdecit, Gjykata e Tiranës i ka dhënë fund maratonës së gjatë të procesit për 29 të akuzuarit për këtë ngjarje të rëndë.10 të pafajshëm, 99 vjet burg në total dhe 40 milionë lekë gjobë, si dhe dënime sporadike për ish-zyrtarë të ushtrisë dhe të Ministrisë së Mbrojtjes me ndalime me afat nga 1 vit deri në katër të ushtrimit të detyrës në funksione shtetërore.

“Gerdeci”, 4 vjet telenovelë

Më 15 mars 2008, e shtunë, ora 11 e 43 minuta. 400 ton municione shpërthyen në punishten e demontimit të armëve në Gërdec, një fshat 13 kilometra nga kryeqyteti shqiptar, duke shkaktuar 26 të vrarë e 300 të plagosur.

Perimetri i vatrës së shpërthimit ishte 3.5 kilometra, ndërsa zona e kraterit 18 hektarë. Zona që ndjeu ndikimin maksimal të këtij shpërthimi shkoi deri në 3 mijë hektarë përreth punishtes së Gerdecit, ndërsa tronditi mijëra banorë.

Lëkundjet që shkaktoi në tokë u llogaritën të ishin ato të një tërmeti 4 ballë. Jo vetëm opozita, e cila ndërmori protesta të fuqishme në 1-vjetorin e tragjedisë, por edhe mazhoranca, premtoi se do të kishte një proces gjyqësor të drejtë.

Deri në 15 mars 2009, ditë kur nisi aventura e procesit gjyqësor, të gjithë prisnin me sy nga drejtësia. Në bankën e të akuzuarve u përfshinë jo vetëm pronari, administratori, drejtues të demontimit, por edhe gjeneralët që drejtonin ushtrinë shqiptare deri në 15 mars 2008.

Por gjyqi i Gërdecit do të haste në një zvarritje të pafund. E gjatë këtyre zvarritjeve, ku dominonte mungesa e mbrojtësve, edhe katër të pandehurve që ndodheshin në burg, Pinari, Minxolli, Delijorgji dhe Ngjeci, u përfunduan afatet e paraburgimit.

Gjykata e Lartë kërkoi lirimin e tyre e detyruar pasi vetë gjyqtarët në një çështje kaq sensitive, kryen pushime të gjata verore duke i dhënë përfundimisht të drejtën të pandehurve ta linin qelinë e burgut 313.

Të gjithë të pandehurit kanë patur një kërkesë të vazhdueshme, ajo që nuk u realizua asnjëherë: Riekspertimin e shkaqeve se përse ndodhi Gërdeci; sjellja në proçes e Patrick Henry, njeriut që edhe në përfundim të këtij proçesi asnjëherë nuk u zbulua se çfarë roli kishte në tragjedi.

Pavarësisht 300 dëshmitarëve që solli akuza, nga të cilët prej disave hoqi dorë, proçesi u fokusua më shumë në gjendjen emocionale të të dëmtuarve sesa për t’i rënduar të pandehurit ligjërisht.

Por brenda të pandehurve gjithmonë kishte konflikte, mes civilëve dhe ushtarakëve, ku fatura e përgjegjësisë nuk caktoi përfundimisht se kush ishin direkt njerëzit që për shkak të shkeljeve të rregullave me lëndët plasëse, punësimit të punëtorëve të pakualifikuar dhe të të miturve, apo depozitimit të qindra tonelatave me barut në fabrikë, shkaktuan tragjedinë.

Me 186 seanca gjyqësore, i etiketuar shpesh si telenovela apo seriali “Gërdeci”, verdikti i shkallës së parë nuk dha asgjë nga ajo që pritej. Jo për shkak të sasisë së dënimeve dhe 10 pafajësive, por për paqartësitë e këtij vendimi që për disa akuza, të cilat përplasen me njëra-tjetrën, lë shtegun e hapur që në Gjykatën e Apelit telenovela të vazhdojë.

Top Channel