Jehona e letrës fshikulluese të bankierit të dorëhequr nga “Goldman Sachs” vazhdon në mbarë botën financiare.
Letra e tij e hapur, e publikuar të mërkurën nga “New York Times” ka tronditur “Wall Street”-in. Asnjëherë më parë një punonjës i “Goldman Sachs” nuk e kishte shkelur rregullin e heshtjes në masë kaq të madhe.
”Ambienti është i helmët e ka vetëm një moto: përfitimin. Sa për klientët, ata janë thjesht kukulla”, shkruhej në letër. Këto e të tjera akuza e kthyen në ngjarje dite letrën e Greg Smith, shef i filialeve në Europë, Afrikë e Lindjen e Mesme.
”Sot është dita ime e fundit pas 12 vitesh punë”, mund të lexohej. “Ambienti në këtë bankë nuk ka qenë kurrë kaq toksik e shkatërrimtar sa tani. Dikur, Goldman ishte në anën e klientëve. Sot drejtuesit e saj i vërtisin këta të fundit si të ishin kukulla. Promovimin e merr vetëm po i solle kompanisë shumë para”.
”Kjo nuk është e paligjshme”, shkruan smith, “por fitimi është kthyer në qëllim në vetvete. Asgjë tjetër nuk ekziston përpara tij”.
Deklarata më e fuqishme e bankierit të dorëhequr ishte se grupi financiar që i ka dhënë aq shumë teknicienë qeverivë amerikane, e sidomos administrates Obama, përfshirë Sekretarin e Thesarit (ekuivalent i Ministrit të Financave), Timothy Geithner, i ka mashtruar me vetëdije të plotë klientet e tij në shume raste, me qëllimin të fitonte sa më shumë para.
Drejtuesit e “Goldman Sachs” i hodhën poshtë si të pavërteta të tilla pretendime. Por, mesazhi i lamtumires së Smithit përpara largimit, ka ndezur debate të zjarrta në botën financiare, ku ka nisur të quhet “Manifesti i Kukullave”.
Top Channel