Politikani kosovar Azem Syla akuzohet nga prokuroria zvicerane për veprën penale mashtrim ndaj këtij shteti duke përfituar ndihmë financiare pasi ishte deklaruar si “invalid psikik qind për qind”.

Bëhet fjalë për shumën prej 350 mijë eurosh të cilën Syla e ka marrë nga sigurimi invalidor në formë pensioni nga shteti zviceran qe prej vitit 1994, kohë kjo kur Syla bashkë me familjen kishte fituar lejën e qëndrimit në Zvicër.

Vetë Syla i cili është deputet i Kuvendit të Kosovës nga radhet e Partisë Demokratike nuk pranoi të prononcohet derisa përfaqësuesi ligjor i tij në Kosovë, Tomë Gashi tha se akoma nuk janë sqaruar rrethanat e ketij rasti rrjedhimisht nuk ka bazë ligjore për arrestimin e mundshëm të deputetit Syla.

Autoritetet shteterore të Republikës së Kosovës nuk janë informuar nga autoritetet zvicerane për padinë e ngritur e as për mënyrën se si do të zhvillohetprocedura gjyqësore.

Në nje komunikim nëpërmjet telefonit drejtori i Departamentit për Bashkëpunim Juridik Ndërkombëtar, Arbër Gegaj  tha se Kosova nuk ka marrëveshje me Zvicrën për ekstradimin e personave për të cilët ka ndonjë akuzë apo urdhërarrest.

Sidoqoftë në raste të tilla sipas tij vlen marrëveshja e reciprocitetit ku autoritetet kosovare i njoftojnë ato zvicerane se nuk ekziston baza  ligjore per ekstradimin e personit në fjalë dhe atëherë propozohet transferimi i procedures penale.

Ne fakt kjo është rregulluar edhe me kushtetutën dhe ligjin Bashkepunim Juridik ndërkombëtar në cështjet penale. Neni 35 i Kushtetutës së Kosovës konkretisht thotë se “Shtetasit e Republikës së Kosovës nuk mund të ekstradohen nga Kosova kundër vullnetit të tyre, me përjashtim të rasteve kur me ligj dhe marrëveshjet ndërkombëtare është përcaktuar ndryshe”.

Edhe Eulexi nuk është deklaruar rreth këtij rasti, pavarësisht se Syla po hetohet edhe nga ky mision pas akuzave të bëra nga Nazim Bllaca se ai është i përfshirë në vrasjet e pas luftës në Kosovë.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA