Zvicër, përplaset autobusi me fëmijë, 28 viktima

14/03/2012 00:00

Një autobus me 52 turistë belgë në bord është përplasur në muret e një tuneli në kantonin Wallis, në kufi mes Zvicrës dhe Italisë, duke shkaktuar 28 viktima.

Sipas policisë lokale, 22 prej viktimave janë fëmijë. Autobusi po kthehej në Belgjikë pas disa ditësh turizmi dimëror.

Bëhet e ditur se 24 fëmijë të tjerë, të gjithë rreth 12 vjeç, kanë mbetur të plagosur nga aksidenti pasi autobusi që po udhëtonte në drejtim të Sionit u përplas me murin e një tuneli për shkaqe që nuk dihen ende.

Mjeti mbante fëmijë nga dy shkolla të Lommel dhe Heverlee të cilët po ktheheshin në shtëpi pas disa ditë pushimesh të kaluara në Val d’Anniviers. Edhe shoferi ka gjetur vdekjen në aksident, ndërsa të plagosurit janë shtruar në spitalin e Valais. Ndërkohë, autoritetet kanë përjashtuar pistën e shpejtësisë gjatë hetimeve për zbardhjen e shkaqeve. 

Zi kombëtare në Belgjikë

Belgët po mbajnë zi për vdekjen e 28 personave, 22 prej të cilëve fëmijë, pas aksidentit në Zvicër. Autobuzi me 52 pasagjerë nga zonat e Lomelit dhe Heverli, po kthehej në Belgjikë pas një udhëtimi në Alpet e Zvicrës, kur u përplas me muret e një tuneli.

Kryeministri belg Elio di Rupo e cilësoi këtë një ditë tragjike për të gjithë vendin. “Jemi të gjithë të shokuar. Mbreti, mbretëresha, ministri i Mbrojtjes dhe unë jemi takuar me familjet në aeroportin e Melsbroekut, për t’u shprehur mbështetjen tonë”, deklaroi Di Rupo.

“Duke iu referuar shkallës dhe karakterit të veçantë të kësaj drame, si dhe emocioneve që ajo shkakton, qeveria ka vendosur të organizojë Ditën Kombëtare të Zisë”, shpjegoi kryeministri, pa dhënë detaje të tjera.

Aksidenti ndodhi pak pas orës 21.00 të së martës në afërsi të Sierre, të kantonit Valeze, pranë kufirit me Italinë. Pjesa më e madhe e fëmijëve ishin të moshës 12 vjeç. Shefi i policisë së Valezës, Kristian Varone e përshkroi vendgjarjen si një skenë lufte.

Për operacionin e shpëtimit, gjatë natës u përfshinë 200 persona, 12 autoambulanca dhe 8 helikopterë për të shpërngulur të plagosurit. Ende nuk është zbardhur shkaku i këtij aksidenti, por në shumë faqe interneti belge apo zvicerane thuhet se shoferin e kishte zënë gjumi.

Të paktën 24 fëmijë mbetën të plagosur, disa prej tyre në gjendje të rëndë, të cilët u shtruan në spitalet e Bernës dhe Lozanës. Të dy shoferët e autobuzit humbën jetën në këtë aksident, i cili është filmuar nga telekamerat që mbikëqyrnin tunelin.

Autobuzi ishte një prodhim i ri dhe i përkiste kompanisë “Top Tours”. Sipas ministrit belg të Transportit, ajo ka një reputacion shumë të mirë. Tuneli me dy korsi u inagurua në vitin 1999. I gjatë 2.5 km, ai përshkohet çdo ditë nga 15 mijë automjete dhe kufiri i shpejtësisë së lejuar është 100 km në orë.

FOTO GALERI
2/6

Top Channel