Siri, ushtria merr nën kontroll Idlibin

14/03/2012 17:20

Ushtria siriane ka marrë tërësisht nën kontroll qytetin rebel të Idlibit, në veri-perëndim të Sirisë, pas një ofensive të armatosur që zgjati katër ditë.

Lajmin e ka bërë të ditur një aktivist, që ka folur edhe për 10 persona të vrarë ditën e djeshme në të gjithë vendin, kryesisht në në Idlib.

“Që prej ditës së djeshme në Idlib nuk luftohet më. Ushtria çlirimtare siriane është tërhequr dhe ushtria e rregullt ka marrë nën kontroll të tërë qytetin, duke kryer edhe kontrolle shtëpi më shtëpi”, ka deklaruar Noureddine al Abdo.

Ndërkohë, në Ankara autoritetet janë të shqetësuara për fatin e dy gazetarëve të humbur prej pesë ditësh në Siri, gjurmët e të cilëve u zhdukën pikërisht në qytetin e Idlibit.

Zhdukja e tyre u sinjalizua mbrëmjen e djeshme. Sipas mediave turke online, drejtori i së përditshmes “Milat”, për të cilën punon një prej reporterëve, ka deklaruar se druhet për jetën e tyre.

Më herët, presidenti sirian Bashar Al Assad hodhi poshtë propozimet e të dërguarit të posçaëm të OKB-së dhe Ligës Arabe, Kofi Annan për të ndërmjetësuar përfundimin  e dhunës në Siri.

Assad iu përgjigj propozimeve të Annan duke thënë se ai nuk e njeh atë si përfaqësues të Ligës Arabe dhe se nuk do të bëjë asgjë derisa opozita të ulë armët e veta.

Annan, ish-sekretar i përgjithshëm i OKB-së, kishte thënë më parë në një deklaratë se ishte larguar me “propozime konkrete” për zyrtarët e qeverisë siriane pas takimit të fundjavës me Assad në Damask.

Top Channel