Një gjykatë në Shkup ka dënuar të mërkurën me 13 vjet burg pronarin e televizionit A1, Velija Ramkovski, i konsideruar përgjegjës për një seri veprash penale të karakterit financiar.
Sipas agjencive maqedonase të lajmeve, bashkë me Ramkovskin janë dënuar edhe 23 bashkëpunëtorë të tij, mes të cilëve i biri Hadi dhe vajza Emel, përkatësisht me nga 7 vjet burg.
Trupi gjykues e konsideroi pronarin e televizionit përgjegjës për pastrim parash, mashtrim dhe shmangie të taksave për një vlerë prej 11 milionë eurosh.
Ramkovski u arrestua gjatë operacionit të koduar me emrin “Merimanga”, përmes të cilit autoritetet maqedonase mbyllën edhe televizionin A1, i njohur për qëndrimet kritike ndaj qeverisë.
Avokatët mbrojtës të të pandehurve deklaruan gjatë seancës gjyqësore se burgosja e tyre është e motivuar politikisht, për shkak të linjës editoriale anti-qeveritare të A1-shit.
Top Channel