Ambasadori i Rusisë në Serbi, Aleksandr Konuzin, deklaroi se perspektiva BE nuk është e vetmja për vendet e Ballkanit dhe se ajo nuk duhet të konsiderohet si pa alternativë.

Në një citim të përcjellë të mërkurën nga e përditshmja serbe “B-92”, Konuzin tha: “Është vendosur shumë vëmendje mbi avantazhet dhe zhvillimin që do të sillte për rajonin pjesëmarrja në një strukturë si Bashkimi Europian. Megjithatë, pjesëmarrja në BE do të ekspozonte këto vende edhe ndaj disa rreziqeve, të cilat duhet të konsiderohen mirë”.

Duke u përqendruar tek rreziqet, Konuzin veçoi paqëndrueshmërinë financiare që po përjeton Europa dhe protestat me karakter social dhe politik të kohëve të fundit.

“E gjithë bota është duke përjetuar një proces historik të përshpejtuar, i cili do të ketë një impakt madhor veçanërisht në Ballkan”, theksoi ambasadori.

I pyetur nëse shpërbërja e Jugosllavisë ka përfunduar, Konuzin shprehu dyshime rreth këtij vlerësimi, ndërsa theksoi se shumë çështje, si pavarësia e Kosovës, pretendimet kufitare dhe ajo e pakicave kombëtare mbeten ende të pazgjidhura.

Aktualisht nga vendet e Ballkanit, Kroacia ka siguruar anëtarësimin dhe do të bëhet anëtare e BE-së vitin e ardhshëm, ndërkohë që Maqedonia, Serbia dhe Mali i Zi kanë marrë statusin e vendit kandidat.

Shqipëria ka dështuar në arritjen e këtij objektivi, ndërsa Kosova është ende larg. Në vitet e fundit anëtare të BE-së u bënë Bullgaria dhe Rumania, të cilat gjithësesi nuk kanë parë ndonjë zhvillim nga bashkimi me familjen evropiane. 

Top Channel