Parlamenti Europian votoi rezolutën për Maqedoninë, në të cilën vendeve anëtare të BE-së iu përsëritet thirrja për çeljen e negociatave për anëtarësim. Por Presidenca daneze dhe Komisioneri për Zgjerim theksuan rëndësinë e zgjidhjes së çështjes së emrit me Greqinë, problem që pengon prej vitesh integrimin e Maqedonisë në strukturat euro-atlantike.

“Ruajtja e marrëdhënieve të mira ndërfqinjësore, përfshirë këtu edhe gjetjen e një zgjidhjeje të përbashkët për çështjen e emrit, është thelbësore”, tha Nicolai Wammen, ministri danez për çështjet europiane.

“Ju keni kërkuar që Bashkimi Europian të ndihmojë në zgjidhjen e çështjes së emrit, për të cilën Kombet e Bashkuara kanë një mandat të qartë për negociatat mes vendit dhe Greqisë. Ne po ndihmojmë duke krijuar një klimë që çon drejt kompromisit dhe inkurajojmë vendet ta gjejnë atë”, deklaroi Stefan Fule, Komisioneri Europian për Zgjerim.

Por përveç debateve të flakta për këtë çështje mes eurodeputetëve grekë dhe të tjerëve, në seancë plenare u diskutua edhe për fushat kyçe ku rezoluta kërkon përparim nga vendi.

“Kritikat miqësore janë të nevojshme, dhe për krimet e luftës, lirinë e mediave, diskriminimin, keq-trajtimin nga policia si dhe për romët, lexojeni rezolutën dhe do të gjeni kritika të forta dhe miqësore”, shtoi Richard Howitt, Raportuesi i PE për Maqedoninë.

Incidentet e fundit në Maqedoni u përmendën përciptazi nga kreu i delegacionit europarlamentar për Ballkanin, Eduard Kukan, ndërsa presidenca daneze kërkoi zbatimin e Marrëveshjes së Ohrit.
 
Nicolai Wammen: Dhjetëvjetori i Marrëveshjes së Ohrit ofroi një mundësi të mirë për të rritjen e dialogut mes komuniteteve në vend. Të dyja, si teksti dhe fryma e Marrëveshjes së Ohrit duhen respektuar nga të gjithë.

Eduard Kukan: Sa më shumë e thellojmë hendekun mes vendeve kandidate dhe çeljes së negociatave, aq më pak të besueshme mund të bëhen politikat e Bashkimit Europian në Ballkan. Nëse kjo nuk ndryshon kam frikë se do të ketë zëvendësim axhendash dhe disa probleme, siç po e shohim për shembull në fushën e marrëdhënieve ndëretnike në vend.

Pas votimit të rezolutës, Komisioneri Fule udhëtoi drejt Shkupit, për të nisur të enjten Dialogun e Nivelit të Lartë me kryeministrin Gruevski, ndër të tjera, edhe për marrëdhëniet ndëretnike dhe nivelin e zbatimin të Marrëveshjes së Ohrit.

Pergatiti: Arta Tozaj

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA