Presidenti amerikan Barack Obama dhe kryeministri britanik David Cameron kanë përjashtuar mundësitë për një ndryshim të planeve për tërheqjen e trupave aleate nga Afganistani nga fundi i vitit 2014, hipotezë kjo e ngritur pas vrasjes së 16 civilëve afganë nga një ushtar amerikan.
“Nuk kemi ndërmend të bëjmë ndonjë ndryshim të papritur të planit që kemi aktualisht”, deklaroi Obama, teksa mbante konferencën e përbashkët për shtyp me Cameron në Shtëpinë e Bardhë.
Presidenti i Shteteve të Bashkuara foli për “një goditje të fortë” në luftën e gjatë të Amerikës, por ai dhe mysafiri i tij riafirmuan planin e tranzicionit dhe theksuan:
“Ne do ta përfundojmë këtë mision dhe do ta bëjmë këtë gjë me përgjegjësi”. “Ne nuk do të tërhiqemi nga ky mision”, theksoi Cameron.
Dy liderët folën gjithashtu për përpjekjet për t’i bërë më shumë presion Iranit për programin e tij bërthamor, me presidentin Obama që shprehu bindjen se, “ka ende hapësirë për një zgjidhje diplomatike”.
Një tjetër çështje e prekur ka qenë ajo e Sirisë dhe ofensivës së përgjakshme të regjimit të Bashar al Assad ndaj forcave të opozitës. “Assad do të bjerë nga pushteti, është vetëm çështje kohe”, deklaroi Obama.
Ndërsa Cameron tha se Amerika dhe Britania shohin një tranzicion paqësor në Siri, dhe jo një revolucion apo luftë civile, por paralajmëroi se nuk mund të ketë një rezultat nëse Assad nuk ndryshon qëndrim.
Përsa i përket Iranit, Obama paralajmëroi Teheranin se rifillimi i bisedimeve ndërkombëtare do të ishte “basti më i mirë” për të gjetur një rrugë paqësore për t’u tërhequr nga programi i tij bërthamor.
Gjatë ceremonisë formale për ardhjen e Cameron, dy liderët bënë shaka për djegien që forcat britanike i bënë Shtëpisë së Bardhë gjatë Luftës së vitit 1812 dhe bënë lojë fjalësh me citimin e shkrimtarit irlandez George Bernard Shaw, se Amerika dhe Anglia janë dy kombe “të ndara nga një gjuhë e përbashkët”.
“S’kanë kaluar 200 vjet që kur britanikët erdhën këtu në Shtëpinë e Bardhë, në rrethana të ndryshme dhe lanë menjëherë shenjën. Ata i vunë flakën këtij vendi, por ne ecëm përpara”, tha Obama.
“Unë jam pak në siklet teksa qëndroj këtu, kur mendoj se 200 vjet më parë parardhësit e mi u përpoqën ta rrafshonin këtë vend. Tani, kur shoh përreth, vë re se sot ju keni një vend më të mbrojtur. Këtë herë ju garantoj se nuk keni asnjë rrezik nga britanikët”, tha pas tij Cameron.
Top Channel