Kryeministri kinez: Nevojiten reforma urgjente

14/03/2012 16:30

Për herë të parë një zyrtar i lartë i Partisë Komuniste kineze ka bërë thirrje për reforma të thella në vend, si në fushën politike ashtu dhe në atë ekonomike. Deklarata është lëshuar nga kryeministri Uen Jibao i cili tha se nevoja për reforma urgjente kushtezohet nga mundësia e rikthimit të “Revolucionit Kulturor”.

Uen Jibao foli në konferencën për shtyp të mbajtur pas Kongresit të Partisë Komuniste, kongres i fundit për të, pasi prej muajsh ka deklaruar tërheqjen e tij.

Gjatë Kongresit Jibao mbrojti vendimin për të mbajtur nivelin e rritjes ekonomike të Kinës në 7.5 përqind edhe për këtë vit, si një vendim thelbësor për vijueshmërinë e rritjes së ekonomisë së dytë më të madhe në botë.

Pasi foli për marrëdhëniet Kinë-SHBA, sidomos në fushën ekonomike, Jibao nënvizoi nevojën e ndërmarrjes së reformave të thella monetare, reforma që kërkohen prej kohësh edhe nga Uashingtoni.

Kryeministri kinez foli për pikëpamjet e tij mbi reformat ekonomike dhe politike. Ai tha se është koha e duhur që këto të ndërmerren gradualisht dhe të kontrolluara si mënyra më e mirë për ekonominë kineze.

Kongresi Kombëtar i Partisë Komuniste u mbajt javën e kaluar. Punimet u çelën nga kryeministri Uen Jibao që adresoi vëmendjen e autoriteteve tek rritja ekonomike dhe ushtria.

Presidenti aktual, Hu Jintao dhe kryeministri Uen Jibao, pas një dekade në pushtet pritet të zëvendësohen përkatësisht nga zv/presidenti aktual, Xi Jinping dhe zv/kryeministri aktual Li Keqiang.

Top Channel