Pas lajmeve në media se ish-presidentët Fatmir Sejdiu, Jakup Krasniqi dhe komisionet ‘ad hoc’ për faljen e të burgosurve janë duke u hetuar për shkelje të Ligjit për Falje dhe të Kushtetutës, ka reaguar kryeprokurori i qarkut në Prishtinë, Aleksandër Lumezi.
Ai ka thënë nëpërmjet telefonit për Top Channel se nuk është duke u zhvilluar kurrfarë proçedure penale, por janë duke u grumbulluar informacione dhe të dhëna për të sqaruar një raport të Institutit të Kosovës për Drejtësi.
“Nëse në këtë rast nga informatat e mbledhura rezulton se ka elementë të veprës penale, atëherë do të fillojnë hetimet kundër subjekteve që vërtetohet se kanë përgjegjësi penale”, ka thënë Lumezi, duke kujtuar se: “falja nënkupton pushtetin e jashtëzakonshëm ekzekutiv të presidentit për t’i falur personat e dënuar”.
“Ligji për falje përcakton kriteret për të burgosurit që bëjnë kërkesa për falje. Komisioni ‘ad hoc’ duhet të mbështetet tek këto kritere dhe ka një mori kriteresh që janë shkelur si nga Sejdiu, ashtu edhe Krasniqi”, ka reaguar Betim Musliu nga Instituti i Kosovës për Drejtësi.
Pas këtij raporti kanë reaguar edhe personat që kanë punuar në këtë çështje. “Është punuar me ndërgjegje dhe profesionalizëm. E them me përgjegjësi penale dhe morale, që çdo gjë ka qenë korrekte në maksimum. Mund të jenë falur edhe rezervistë, por Kodi Penal dhe ligji për falje këtë nuk e ndalon këtë”, ka deklaruar Ismet Salihu, profesor i së drejtës penale në Universitetin e Prishtinës.
Pas këtij raporti kanë reaguar edhe dy ish-presidentët, Fatmir Sejdiu e Jakup Krasniqi. Ish-presidenti Sejdiu nëpërmjet një komunikate për media ka thënë se, faljet i ka ndërmarrë në bazë të konsultimeve të zhvilluara me institucione të ndryshme.
“Besoj edhe sot në ekspertizën, analizën dhe në vlerat etike që anëtarët e komisioneve u kanë bërë të gjitha dosjeve në bazë të të cilave më është përcjellë rekomandimi final i tyre për faljen me emër dhe mbiemër të secilit person”, thotë Sejdiu në komunikatë, duke shtuar se është i gatshëm që çdo herë të japë kontributin e tij pranë organeve të drejtësisë për çështjet që mund të shtrohen.
Kurse Jakup Krasniqi në reagimin e tij ka shkruar se: “I është përmbajtur të gjitha kritereve ligjore gjatë shqyrtimit të kërkesave të të burgosurve për falje dhe se konstatimet e dala nga raporti janë të paskakta, joprofesionale dhe shumë tendencioze e paragjykuese”.
Top Channel