Azerbajxhan, arrestohen 22 spiunë iranianë

14/03/2012 15:25

Autoritetet azerbajxhanase arrestuan 22 persona me dyshimin se janë të përfshirë në aktivitete spiunazhi në shërbim të Iranit dhe se janë pjesë e Gardës Revolucionare Iraniane.

Arrestimet u konfirmuan në një deklaratë të shkurtër për shtyp të Ministrisë së Brendshme të Azerbajxhanit. Një muaj më parë, Televizioni Shtetëror i vendit kaukazian raportoi për zbulimin e një plani për të sulmuar Ambasadën e Izraelit dhe një shoqatë hebrebe në vend.

Sulme të tilla të ngjashme kanë ndodhur edhe në Tajlandë, Indi e Gjeorgji. Pas këtij agresioni besohet se fshihen Shërbimet Sekrete të Iranit.

Sipas deklaratës së Ministrisë, “22 të arrestuarit kanë marrë urdhër nga Garda Revolucionare që të kryejnë veprime terroriste kundër interesave të Shteteve të Bashkuara, Izraelit dhe disa shteteve të tjera perëndimore”.

Nga hetimet, është zbuluar se disa prej tyre ishin rekrutuar si agjentë sabotazhi që në vitin 1999 dhe se kanë marrë një stërvitje të detajuar në përdorimin e armëve të posaçme, midis të cilëve edhe eksplozivëve.

Teherani nuk ka reaguar ende me një deklaratë zyrtare. Së fundmi, marrëdhëniet midis Izraelit dhe Iranit janë veçanërisht të tensionuara, për shkak të ambicieve bërthamore iraniane, të cilat kanë kanë bërë Tel Avivin që të marrë në konsideratë mundësinë e një sulmi të njëanshëm ushtarak ndaj Iranit.

Top Channel