Siri, mbi 8 mijë të vdekur nga dhuna

13/03/2012 00:00

Mbi 8 mijë persona kanë vdekur që nga nisja e protestave anti-qeveritare
që shpërthyen në Siri një vit më parë, ka bërë të ditur OKB-ja.

Presidenti i Asamblesë së Përgjithshme, Nassir Abdulaziz al Nasser deklaroi se shumë gra dhë fëmijë janë mes viktimave.

Komentet e tij vijnë në një moment kur i dërguari i OKB-së dhe Ligës Arabe, Kofi Annan do të takohet me përfaqësues të opozitës siriane në Turqi.

Ndërkohë, në zhvillime të tjera, një grup për të drejtat e njeriut ka akuzuar Sirinë se ka vendosur mina tokësore përgjatë vijave kufitare me Libanin dhe Turqinë.

Human Rights Watch paralajmëroi se vendosja e minave anti-njeri dhe anti-automjet mund të shkaktojë viktima në radhët e civilëve në vitet e ardhshme.

Zoti Annan do të takohet me anëtarët e opozitës siriane, Këshilli Kombëtar Sirian, në Turqi, pas vizitës që kreu fundjavën e kaluar në Siri.

Annan bisedoi kokë më kokë me presidentin Bashar al Assad dhe në përfundim të vizitës u shpreh optimist për arritjen së shpejti të një armëpushimi.

Ai theksoi gjithashtu se aksesi humanitar në zonat e prekura nga dhuna do të jetë prioritet në dialogjet politike.

Clinton dënon “cinizmin” e Assad

“Me cinizëm presidenti sirian Bashar al Assad priti të dërguarin e OKB-së dhe Ligës Arabe, Kofi Annan, teksa në qytete të ndryshme të vendit vazhdonin masakrat nga forcat qeveritare”.

Kështu deklaroi sekretarja amerikane e Shtetit, Hillary Clinton duke folur të hënën në mbledhjen e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara.

Lavrov: Jo manipulimit të OKB-së

Ndërsa ministri i Jashtëm rus, Sergei Lavrov deklaroi se Moska nuk pranon që OKB-ja të manipulohet për situatën në Siri, për të cilën shprehu shqetësim të madh.

Rusia dhe Kina kanë bllokuar rezoluta të mëparshme që dënonin regjimin e Bashar al-Assad dhe që kërkonin largimin e tij, me argumentin se po ndërhyhej në punët e brendshme të një shteti sovran dhe se nuk jepeshin garanci për mosndërhyrjen ushtarake.

Juppe: Kina dhe Rusia të dëgjojnë zërin e Arabëve

Ndërkohë, ministri i Jashtëm francez, Alain Juppe i bëri thirrje Kinës dhe Rusisë që të dëgjojnë “zërin e arabëve” përsa i përket çështjes siriane.

“Regjimi i Damaskut duhet të përgjigjet për veprimet e tij para drejtësisë”, tha në të njëjtën mbledhje shefi i diplomacisë franceze.

Ki Moon: Përdorim i tepruar i forcës

Nga ana tjetër, sekretari i përgjithshëm i OKB-së, Ban Ki Moon akuzoi qeverinë siriane, se po përdor forcë të tepruar në disa qytete.

“Damasku vazhdon ofensivën e tij ushtarake në qytete të ndryshme, me operacione të turpshme”, deklaroi Ki Moon, i cili i bëri thirrje regjimit që të pranojë “brenda pak ditësh” propozimet e OKB-së dhe Ligës Arabe.

Mijëra të shpërngulur

OKB, që kishte ndalur numërimin e viktimave muaj më parë, pranon në raport se viktimat janë mbi 8 mijë, ndërsa 30 mijë civilë për t’i shpëtuar dhunës dhe përleshjeve ushtarake, janë detyruar të lënë Sirinë për t’u strehuar në Turqi apo në vendet e tjera fqinje.

Ndërkohë, 200 mijë të tjerë besohet se janë shpërndarë brenda Sirisë duke braktisur zonat ku tensionet janë të mëdha, kryesisht në veri të vendit, e duke u shpërngulur në Damask e në qytete të tjera ku nuk mbahen luftime.

Top Channel