SHBA, padi Kinës në OBT

13/03/2012 00:00

Shtetet e Bashkuara do të hapin një çështje ndaj Kinës në Organizatën
Botërore të Tregtisë, duke sfiduar kështu kufizimet e eksportit të
materialeve të rralla tokësore.

Bashkimi Evropian dhe Japonia pritet të mbështesin Shtetet e Bashkuara në këtë nismë. Pekini ka vendosur kuota të caktuara për eksportin e materialeve të rralla tokësore, shumë prej të cilave janë jetike për produktet në manifakturë apo ato teknologjike.

Amerika argumenton se me kufizimin e eksporteve, Kina, vendi numër 1 në botë për prodhimin e këtyre materialeve, ka bërë që të rriten çmimet.

Kina prodhon mbi 95 për qind të metaleve të rralla në botë dhe çdo kufizim mbi eksportet nga qeveria e Pakinit ka të ngjarë të ketë një ndikim të madh në çmimet globale.

Gjithashtu, ka shqetësime se Pekini e ka ndërmarrë këtë lëvizje në mënyrë që çmimet e këtyre elementëve të mbeten të ulëta brenda Kinës, lëvizje kjo që sipas kritikëve i jep manifakturës vendase një avantazh jo të drejtë.

Megjithatë, Kina i ka mohuar këto akuza, duke thënë se kufizimet i ka vendosur me qëllim që të kufizojë dëmtimin e ambjentit nga këta elementë.

Sipas agjencive ndërkombëtare të lajmeve, administrata amerikane ka në plan të hapë çështjen ndaj Kinës më vonë gjatë ditës së sotme.

Top Channel