Kubë, përgatitje për vizitën historike të Papës

13/03/2012 16:00

Kuba është përfshirë nga përgatitjet e ethshme për vizitën që do të realizojë në datën 26 mars Papa Benedikti XVI.

Kjo do të jetë vizita e dytë e Atit të Shenjtë në dy dekada, pas vizitës së mëparshme nga Papa Gjon Pali II, në vitin 1998.

Në sheshin e revolucionit, sheshi kryesor në kryeqytetin Havana, po realizohen rinovimet e fundit të ndërtesave, ndërsa policia është gati të zbatojë një plan madhor sigurie, për kontrollimin e një turme prej qindra mijëra personash.

Gazeta “Granma”, organ zyrtar i Partisë Komuniste që udhëheq jetën e shtetit njëpartiak, në një editorial të sajin i uroi mirëseardhjen Benediktit XVI.

Në editorial lexohej se “Papa do të ketë mundësinë të njohë nga afër patriotizmin, kulturën dhe shpirtin e solidaritetit e humanizmit të popullit kubanez, vlera ku është e bazuar edhe uniteti i kombit tonë”.

Benedikti XVI do të pritet nga vetë presidenti Raul Castro, vëllai i ish-liderit historik, Fidel Castro. Ai do të vizitojë katedralen e “Virgjëreshës Bamirëse të Kobres”, e vendosur në një shpat malor dhe e cilësuar si një prej pasurive më të rralla të katolike në botë, përpara se të udhëheqë një meshë në qendër të Havanës.

Vizita e Papës është duke u përjetuar me emocione të rralla nga popullsia ekstremisht katolike e ishullit me 11 milionë banorë. Një punonjës ndërtimi, Edgar Aguiar Mancheco, në një intervistë për BBC, e cilësoi vizitën e Papës si gjëja më e mirë që do t’i ndodhte në jetë.

Pas vitesh të gjata persekutimi të fesë, autoritetet kubaneze rikthyen të ligjshëm besimin në Zot në fillimin e viteve 1990. Së fundmi, Selia e Shenjtë ka luajtur një rol të rëndësishëm si ndërmjetëse në lirimin e disa qindrave disidentëve të burgosur politikë nga burgjet kubaneze.

Top Channel