Prokuroria e Qarkut të Prishtinës ka ngritur një akuzë kundër ish-shefit të Inspeksionit Fitosanitar-Kufitar dhe asistentes së tij.
Kjo agjenci vepron në kuadër të Zyrës së Kryeministrit të Kosovës, ndërsa të pandehurit thuhet se kanë përfituar në mënyrë të paligjshme shumën prej 73 mijë e 349 eurosh, duke dëmtuar kështu buxhetin e Kosovës.
Në një komunikatë për shtyp thuhet se aktakuza është ngritur pasi që të dy personat, gjatë periudhës janar-qershor 2010 kanë lëshuar gjithsej 1 mijë e 789 leje për importin e mallit për 489 kompani, të cilat merren me importin e mallrave të ndryshme ushqimore dhe bimore.
Nga të pandehurit, atyre u është kërkuar që pagesat t’i bënin direkt në zyrën e ish-shefit të Inspeksionit. Për secilen leje është paguar 41 euro.
Këto leje nuk janë regjistruar më pas në librin e protokollit dhe nuk i kanë paraqitur në raportin financiar-mujor për vitin 2010. Prokuroria e Qarkut në Prishtinë ka kërkuar nga gjykata që të pandehurit t’i shpallë fajtore për veprën e kryer penale dhe t’i detyroje që të kompensojnë buxhetin e Kosovës me shumën që e kanë dëmtuar.
Top Channel