KE: Luftë pasurive kriminale

13/03/2012 00:00

Bashkimi Evropian është i vendosur të sulmojë kapitalet e krimit të
organizuar. Komisionerja për Çështjet e Brendshme, Cecilia Malmstrom ka
propozuar rregulla të reja për të lehtësuar konfiskimin e pasurive
organizatave kriminale dhe për të luftuar pastrimin ndërkufitar të
parave.

Normat e reja evropiane, të cilat janë hartuar sipas modelit italian, do të lehtësojnë sekuestrimet edhe kur pasuritë nuk janë të lidhura në mënyrë direkte me një krim të caktuar apo u janë dhënë përfaqësuesve të ndryshëm. Gjithashtu, do të jetë e mundur ngrirja e pasurive si një masë parandaluese.

“Duhet t’i godasim kriminelët aty ku iu dhemb më shumë, pra duhet të ndjekim fluksin e parave të tyre. Duhet t’i kthejmë pasuritë e paligjshme në favor të ekonomisë formale, gjë shumë e rëndësishme në kohë krize”, ka deklaruar Malmstrom.

“Autoritetet gjyqësore dhe ato policore duhet të kenë instrumente më të mira për të ndjekur pistën e parave. Gjithashtu, ato kanë nevojë për më shumë mjete përmes të cilave të rekuperojnë pasuri sa më të mëdha kriminale”, ka nënvizuar komisionerja.

Sipas Kombeve të Bashkuara, përfitimet nga aktivitetet kriminale në mbarë botën kanë kapur shifrën 2.100 miliardë dollarë në vitin 2009, baraz me 3.6 për qind të GDP-së në rang global.

Konfiskimet që kanë bërë vende të ndryshme evropiane kanë qenë modeste: 125 milionë stërlina në Mbretërinë e Bashkuar në vitin 2006; 185 milionë euro në Francë, 50 milionë euro në Holandë dhe 281 milionë në Gjermani, për vitin 2009.

Për Malmstrom, janë vetë vendet anëtare të Bashkimit Evropian që duhet të vendosin për destinacionin dhe përdorimin e pasurive të sekuestruara.

Top Channel