Raportuesi për Serbinë në Parlamentin Evropian, Jelko Kacin ka deklaruar
se Beogradi duhet të mbajë një qëndrim konstruktiv ndaj Kosovës, tani
dhe gjatë fushatës së zgjedhjeve.

“Beogradi duhet të fillojë me heqjen e strukturave paralele në veri të Kosovës, në mënyrë që EULEX-i dhe KFOR-i të kryejnë detyrën e tyre”, ka deklaruar Kacin.

Ndër të tjera, eurodeputeti slloven ka përshëndetur vendimin e Brukselit për t’i dhënë Serbisë statusin e vendit kandidat për anëtarësimin në BE.

Lidhur me situatën në veri të Kosovës reagoi ditën e hënë komandanti i trupave të KFOR-it, Erhard Drews, i cili tha se Beogradi dhe Prishtina duhet të arrijnë sa më shpejt një marrëveshje, që të jetë e pranueshme për të gjithë njerëzit që jetojnë atje.

“Në veri nuk kanë probleme negociatorët, por njerëzit që jetojnë atje. Pyetja është nëse njerëzve që jetojnë atje mund t’u imponohet ndonjë vendim apo marrëveshje, në qoftë se ata këtë nuk e tolerojnë”, tha Drews për gazetën “Vesti”.

Drews theksoi se minoriteti serb i Kosovës jeton në një lloj të konfliktit të ngrirë dhe se vështirë se do ta përballojë këtë gjendje, në qoftë se mungon mbështetja financiare nga Beogradi.

Drews tha gjithashtu se gjatë qëndrimit gjashtë-mujor në Kosovë, ka vizituar të gjitha vendbanimet e komunitetit serb dhe pothuajse të gjithë serbët në jug të lumit Ibër ndihen më të sigurt se më parë.

Top Channel